Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi të premten në Kuvend se nëse Kosova do të kishte marrë vaksina nga Pfizer ose Moderna ai nuk do të vaksinohej i pari.
Kurti vaksinua i pari në Kosovë me AstraZeneca. Kosova ka siguruar 24 mijë doza nga AstraZeneca përmes COVAX.
“Sa i përket vaksinës, po të ishte Pfizer ose Moderna nuk do shkoja, vetëm se ka qenë AstraZeneca që ka një reputacion të dëmtuar, kam shkuar ta marrë i pari vaksinën. Asnjë arsye për t’u privilegjuar, një brand tjetër i vaksinës mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës”, ka deklaruar Kurti në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se pas votimit të Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës, do të nis dhe hartimi i planit të punës dhe realizimi i premtimeve të fushatës.
“Duhet presidenten edhe më pas edhe planin e punës, po të ishte ndonjë vit tjetër nuk do ishte kësisoj mirëpo tani jemi të bindur se duhet kështu. Ta bëjmë zgjedhjen e presidentes në Kuvendin e Kosovës meqë ky është vit që e kemi edhe Qeverinë e re edhe presidente”, ka thënë ai.