Në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kërkoi sot shtytjen e takimit me Presidentin Hashim Thaçi për më 6 janar të vitit 2020. Takimi duhet të bëhet për të marrë zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë, por deri më sot ai nuk është zhvilluar edhe pse ka pasur 3 ftesa zyrtare nga Presidenti.
Përmes një shkrese të bërë publike për mediat, zoti Kurti njoftoi sot se ka refuzuar ftesën e zotit Thaçi për takim dhe se i ka propozuar atij që ky takim të kryhet të hënën e javës së ardhshme.
Kjo është hera e tretë që ftesa e Presidentit Thaçi refuzohet. Ai e kishte ftuar zotin Kurti që më 27 dhjetor, një ditë pasi legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës u betua në parlament.
Shtytja e marrjes zyrtarisht të mandatit për formimin e qeverisë po shihet në Kosovë si përpjekje për të fituar kohë për arritjen e një marrëveshjeje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Të dyja këto parti, të cilat fituan shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, shkuan në parlament pa marrëveshje të dakordësuar. Po sot Kurti zhvilloi takime me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, i cili takoi gjithashtu edhe kryetarin e LDK-së, Mustafa.
Pas mandatimit nga Presidenti, partia që ka fituar më shumë vota nga zgjedhjet merr 15 ditë kohë për formimin e qeverisë.
Nga zgjedhjet e 6 tetorit Vetëvendosje fitoi 29 deputetë, LDK 28, Partia Demokratike e Kosovës 24, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social-Demokrate 13 deputetë, Lista Serbe 10, koalicioni mes Nisma, AKR dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë dhe 10 deputetë të tjerë partitë e vogla.