Kurti refuzon të takojë Thaçin për qëndrimet rreth dialogut me Serbinë

Nga Exit News
Kurti refuzon të takojë Thaçin për qëndrimet rreth dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti refuzoi sot të takohej me Presidentin Hashim Thaçi, duke u bërë i vetmi që iu përgjigj negativisht ftesës për të diskutuar bashkërendimin e qendrimeve politike rreth dialogut me Serbinë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj iu përgjigjën pozitivisht.

Zyra e Kryeministrit Kurti i tha Radios Evropa e Lirë (RFE/RL) se ai nuk mundi t’i përgjigjej ftesës së Presidentit për arsye se Kuvendi organizonte sot seancë të veçantë kushtuar të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

“Është dashur të vijë edhe presidenti e të dëgjojë atë në kuvend. Jo të organizojë takime të ndara për të përçarë”, citoi RFE/RL përgjigjen e zyrës së Kurtit.

Më vonë në një postim në Facebook, zëvendëskryeministri Haki Abazit, u shpreh se takimet me Presidentin Thaçi duhet të kenë axhendë, qëllim dhe arsye, dhe “jo të mbahen sa për sy e faqe apo për të justifikuar një lloj legjitimiteti që Thaçi më nuk e ka”.

Thaçi kishte ftuar Kurtin dhe udhëheqësit e partive të tjera për takime të ndara, për t’u njohur, konsultuar, koordinuar dhe bashkërenduar rreth pozicionit që duhet të mbajë Kosova ndaj bisedimeve me Serbinë.

Në përgjigjie RFE/RL-së, Kurti ka lënë të nënkuptohet se është i gatshëm të takohet me Thaçin “pasi ai të mbarojë njëherë takimet me partitë” pasi “si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka dëshirë ta takojë, por që si Kryeministër është i detyruar”.

Thaçi i cilësoi takimet me kryetarët e 3 partive të tjera, pozitive dhe tha se drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së ishin pajtuar me idenë për të bashkërenduar qëndrimet rreth bisedimeve me SerbinË.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Haradinaj pohoi pas takimit me Thaçin se kishin diskutuar për takimet që ai kishte zhvilluar në SHBA.

Kreu i LDK-së Mustafa në takim me Presidentin Thaçi.

Presidenti Thaçi ka kërkuar takime me të gjitha palët, pas vizitës që zhvilloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të muajit mars.

Gjatë vizitës në SHBA, ambasadori Richard Grenell ndërmjetësoi një takim me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, takim të cilin Kryeministri i Kosovës Albin Kurtit e cilësoi të pakoordinuar me qeverinë dhe parlamentin.

Thaçit iu mohua kërkesa për të raportuar rreth takimit në Kuvend, por përmes një deklarate për shtyp, ai theksoi se Kosova duhet ta shfrytëzoj rastin kur SHBA-të kanë një interes të shtuar për një marrëveshje paqësore me Serbinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>