Kurti: Vetëvendosja do vazhdojë betejën për zgjedhje të reja

Nga Exit News
Kurti: Vetëvendosja do vazhdojë betejën për zgjedhje të reja

Lëvizja Vetëvendojse festoi në 12 qershor me një tubim të madh në Prishtinë, 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe si dhe 15-vjetorin e krijimit të lëvizjes.

Kreu i VV-së dhe kryeministri i sapolarguar i Kosovës Albin Kurti i premtoi mijëra qytetarëve të mbledhur në shesh, se do të vazhdojë betejën për të kërkuar zgjedhje të reja dhe për të rrëzuar qeverinë Hoti, të cilën Kurti e quan të paligjshme.

Ai theksoi se megjithëse kanë kaluar 21 vjet nga çlirimi i Kosovës nga Serbia, Kosova vazhdon të jetë e pushtuar tashmë nga korrupsioni dhe ‘kapësit e shtetit’:

“Dymbëdhjetë qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia, por pas këtij çlirimi nga okupatori i jashtëm, pati filluar një sundim nga brenda – njëherë nga UNMIK-u, që nuk solli as zhvillim demokratik e as progres ekonomik, e pastaj përmes një kaste të politikanëve që, në emër të çlirimit, filluan zhvatjen e pasurisë publike dhe shkaktuan varfërimin e popullit.”

Kurti tha se puna e qeverisë së tij u ndërpre pa të drejtë, sepse “ata që e kapën shtetin nga të gjitha anët, u bashkuan kundër qeverisjes së mirë”.

Ai shtoi se lëvizja Vetëvendosje “do ta mbrojë Kosovën si në Kuvend, ashtu edhe në sheshe, nga marrëveshjet e dëmshme me Serbinë” dhe shtoi se vetëm zgjedhjet e reja mund të rikthejnë legjitimitetin e institucioneve.

Prej pak ditësh Kosova ka qeverinë dhe kryeministrin e ri, Avdullah Hoti, i emëruar pas rrëzimit të qeverisë Kurti, me mocion mosbesimi në 25 mars.

Qeveria Kurti qëndroi në detyrë vetëm 52 ditë.

Pas rrëzimit të qeverisë nga aleatja e VV-së në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, Kurti kërkoi zgjedhje të reja. Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë kërkesën dhe i hapi rrugë formimit të qeverisë Hoti.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>