Kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmtimet nga tërmeti? Përgjegjësitë në procesin e ndërtimit

Nga Stafi Exit
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmtimet nga tërmeti? Përgjegjësitë në procesin e ndërtimit

A do mbahet se kush është përgjegjës për jetët e humbura dhe shkatërrimet e shkaktuara nga tërmeti? Tashmë është e qartë se për disa nga godinat, shkaku përcaktues për shembjen e tyre, kanë qenë veprime të paligjshme të ndërtuesve apo përdoruesve të tyre dhe neglizhenca e shtetit.

Ndërkohë, tërmeti ka shërbyer si prozhektor që ka nxjerrë në pah një masakër të vërtetë kriminalo-urbane në Durrës, Tiranë dhe mjaft qytetete të tjera.

Çfarë duhet bërë me këto raste? A duhet të filloj një hetim i gjerë në të gjitha ndërtimet e bëra në bregdetin e Durrësit? A duhet shtrirë ky hetim në gjithë bregdetin? Në të gjithë vendin?

A duhet të hetojmë vetëm për shkeljet që kanë lidhje me sigurinë e ndërtimeve apo edhe më gjerë?

A do të shpërfillim çfarë ka ndodhur me shpresën se nuk do ketë tërmet tjetër si ky që kaloi? Përtej sigurisë, a mund të ketë zhvillim, a mund të ketë paqe, a mund të ketë liri nëse njerëzit që shkelin ligjin apo kryejnë krime për pasurim personal nuk mbajnë asnjë përgjegjësi por vetëm shpërblehen?

Këto pyetje do të marrin përgjigje në javët e ardhshme.

Ndërkohë, sipas njoftimeve të saj, prokuroria ka filluar hetimet për të gjitha godinat e shembura ku humbën jetën njerëz; për shkelje të ligjeve dhe mosrespektim të standardeve në ndërtime, përfshi shtesa dhe ndërhyrje pa leje.

Exit News shpjegon më poshtë se cili është roli dhe përgjegjësia e profesionistëve në ndërtimin, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e një ndërtese dhe përse papërgjegjshmëria e tyre gjatë punës mund të sjellë dëme të rënda.

Projektuesit

Për të marrë leje ndërtimi, duhet të paraqitet një listë e gjatë dokumentesh si: studimi sizmik i sheshit të ndërtimit dhe analiza e tokës, që përcakton parametrat antisizmikë përfshi intensitetin e lëkundjeve që duhet të përballojë dhe lartësinë maksimale që duhet të ketë; projektin arkitektonik, projektin konstruktiv dhe preventivin e projektit të zbatimit që përcaktojnë ndër të tjera përmasat e elementëve konstruktive të rëndësishëm si kolonat, trarët, akset, marka; cilësia e betonit, cilësia dhe sasia e hekurit, etj.

Për të gjithë këto dokumente, profesionistët mbajnë përgjegjësi. Arkitektët dhe inxhinierët janë të detyruar të nënshkruajnë Deklaratën e Përgjegjësisë Profesionale ku deklarojnë se kanë hartuar projektin, ndër të tjera, me standardet antisizmike.

Mbikqyrësi

Në fazën e zbatimit,  mbikëqyrësi i punimeve siguron respektimin e parametrave dhe standardeve të përcaktuara në kushtet teknike të projektit dhe të ligjeve.

Mbikëqyrësi verifikon dhe mat intensitetin sizmik të sheshit të ndërtimit; si dhe verifikon cilësinë e materialeve, si beton, hekur, në përputhje me standardin antisizmik.

Mbikqyrësi jep udhëzime dhe urdhëra për ndërtuesit. Madje ai mund të pezullojë punimet nëse veren probleme më zbatimin teknik të projektit. Ai mban përgjegjësi ligjore, së bashku me sipërmarrësin.

Mbikëqyrësi nuk duhet të jetë në asnjë rast i lidhur, në çfarëdolloj mënyre (familjare, ndërvarësie, parteriteti në biznes etj) me investitorin, firmën e ndërtimit apo drejtuesit teknikë.

Kolauduesi

Pas përfundimit të ndërtimit, është kolaudatori që bën verifikimin e detyrueshëm të objektit përpara se ai të vihet në përdorim. Kolaudatori verifikon realizimin e objektit, në përputhje me projektin, lejen e ndërtimit, standardet dhe rregullat teknike; përputhjen e dokumenteve me të dhënat nga matjet në dimension, formë, sasi dhe cilësi.

Objekti ka periudhë garancie gjatë së cilës duhet verifikuar gjithë elementët e tij. Nëse gjatë kësaj periudhe garancie, zbulohen difekte, kolauditori ia komunikon zbatuesit që t’i ndreqë. Në përfundim të periudhës së garancisë, investitori, kolaudatori, mbikëqyrësi dhe zbatuesi bëjnë kontrollin përfundimtar të veprës dhe e firmosin atë, duke mbajtur kështu përgjegjësi ligjore, nëse diçka nuk shkon.

Pa miratimin e mbikëqyrësit të punimeve dhe kolauditorit, asnjë ndërtëse e ndërtuar me leje nuk mund t’i jepet për përdorim investitorit.

Kolaudimi i punimeve duhet kryer nga specialistë, ku secili duhet të ketë licencën përkatëse për specialitetin që mbulon. Ngjashëm si për mbikëqyrësit, edhe kolauditori nuk duhet të jetë i lidhur më investitorin apo firmën e ndërtimit.

Gjatë periudhës së ndërtimit dhe kolaudimit, zyrat e urbanistikës duhet të kontrollojnë nëse ndërtimi po bëhet sipas projektit dhe lejes së miratuar, nëse ka abuzim me lartësitë, vëllimin e punimeve, koeficentin e shfrytëzimit të sheshit apo nëse janë ruajtuar distancat nga objekte të tjera dhe rrugët.

Zbatimi i të gjitha hallkave, si nga profesionistët dhe institucionet shtetërore, nga miratimi i lejes e deri në nxjerrjen e objektit për përdorim, janë shumë të rëndësishme për të siguruar standardet dhe parandaluar dëmet nga tërmetet.

Ndërtuesit pa leje

Shumë prej ndërtimeve në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit janë ndërtuar pa leje dhe më pas janë legalizuar ose mbeten në proces.

Profesionistë të pyetur nga Exit News, pohuan se shumë prej qytetarëve që kanë ndërtuar banesa pa leje, nuk i janë drejtuar inxhinierëve, arkitektëve dhe profesionistëve të tjerë për të bërë projektin dhe ndërtimin e shtëpive. Prej mungesës së njohurive dhe për të ulur kostot e ndërtimit, ata kanë marrë vetëm punëtorë, shpesh amatorë, për të ndërtuar shtëpitë.

Për shumicën e këtyre ndërtesave, askush nuk ka bërë analizat e tokës, nuk ka hartuar projekt arkitektonik e inxhinierik, nuk ka planifikuar ndërtimin e brezave antisizmikë, nuk ka kontrolluar cilësinë e materialeve si betoni, hekuri, kaq të rëndësishme për sigurinë e ndërtesës. Askush nuk ka bërë mbikëqyrjen e punimeve.

Në rast se pronarët e këtyrë objekteve kanë vendosur që të aplikojnë për legalizimin e tyre, atëherë atyre i është kërkuar një akt-kolaudimi, i cili hartohet nga një profesionist me licencë, kundrejt një pagese.

Pavarësisht se shumë profesionistë i hartojnë këto akte-kolaudimi, burime për Exit News pohuan se është shumë e vështirë që këto akte të jenë të sakta dhe të japin informacion të plotë se me çfarë materialesh është ndërtuar objekti, nëse janë respektuar të gjitha hapat e nevojshëm të punës, nëse punimet janë bërë nga punëtorë profesionistë apo jo, nëse janë ndërtuar brezat antisizmikë, etj.

Pra, megjithëse objekti mund të legalizohet, kjo nuk provon se ai është ndërtuar sipas rregullave dhe duhet kolauduar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>