Kush është kryeministrja e re britanike?

Kush është kryeministrja e re britanike?

Theresa May do të emërohet sot kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo do të jetë kryeministrja e dytë femër pas Margaret Thatcher, e cila shërbeu si Kryeministre në perudhën 1980-1991.

Zonja May është 60 vjeç. Ajo ka studiuar për gjeografi në Universitetin e Oxfordit.

Karrierën profesionale e ka filluar në Bankën e Anglisë dhe pastaj si këshilltare financiare në një shoqëri për këshillimin e publikut.

Në periudhën 1985–1997 ajo ka shërbyer si këshilltare komunale në lagjen Merton të Londrës.

Në vitin 1997 u zgjodh deputete për zonën e Maidenhead, pranë Londrës. Në vitin 2002 ajo u zgjodh si shefe e administratës elektorale të Partisë Konservatore.

Në periudhën 1999 – 2010 Zonja May ka shërbyer si anëtare e kabinetit hije të Partisë Konservatore në opozitë.

Me ardhjen e konservatorëve në pushtet në vitin 2010 ajo ka shërbyer në mënyrë të pandërprerë si Ministre e Brendshme e Britanisë, që konsiderohet posti i tretë më i rëndësishëm në qeveri pas atij të kryeministrit dhe ministrit të financave. Ajo është ministrja e brendshme më jetëgjatë në një kabinet qeveritar në Britani.

Për periudhën 2010 -2012 ajo ka mbajtur edhe postin e ministres së gruas dhe barazisë.

Zonja May ishte ndër politikanet kryesore që drejtoi fushatën për qëndrimin e Britanisë në BE.

Pas dorëheqjes së Kryeministrit David Cameron, një ditë pasi britanikët votuan pro daljes nga Bashkimi Europian, Theresa May shpalli kandidaturën për kryetare të Partisë Konservatore.

Ajo fitoi më shumë se 50 për qind të votave, në dy votimet e zhvilluara në grupimin parlamentar konservator më 5 dhe 7 Korrik të vitit 2016.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>