
Shqipëria renditet ndër 3 shtetet me më pak viktima nga Covid-19 në rajon, ndërsa shtetet me më shumë të vdekur në raport me popullsinë janë Turqia dhe Sllovenia.
Raporti mes viktimave për çdo 1 milion banorë të një shteti lejon vënjen në krahasim me shtetet e tjera të bilancit të epidemisë, pavarësisht se popullsia e përgjithshme mes shteteve ndryshon.
Exit News monitoroi të dhënat zyrtare të raportuara nga 15 shtete të rajonit duke u përqendruar vetëm te viktimat.
Rezulton se Sllovakia është vendi me bilancin më të lehtë të Covid-19 pasi ka një raport prej 4 vdekjesh për çdo 1 milionë banorë.
Më pas vjen Bullgaria me 9 vdekje për çdo 1 milionë banorë dhe pastaj Shqipëria me një raport të përafërt prej 10 vdekjesh.

Për të pasur një ide më të qartë, në Evropë, shtete si Italia, apo Spanja kanë një raport prej 510 dhe 452 vdekjesh për çdo 1 milionë banorë, ndërsa SHBA-të kanë një raport prej 178 vdekjesh për çdo 1 milion banorë.
Në Sllovaki ka pasur vetëm 22 të vdekur mes 1 391 të infektuarve me Covid-19. Në Bullgari 64 viktima mes 1 447 të infetkuarve,
Shqipëria zyrtarisht ka raportuar 30 viktima ndër 766 pacientë me Covid-19. Me një popullsi zyrtare të deklaruar 2.8 milionë banorë, raporti i vdekjeve është rreth 10 vdekje për çdo 1 milionë banorë çka e rendit pas Bullgarisë (9) dhe Sllovakisë (4).
Për të vazhduar më tej me: Malin e Zi 7 vdekje nga 322 të infektuar; Kosova 22 vdekje nga 790 të infektuar dhe Greqia me 139 të vdekur nga 2 576 të infektuar.
Vlen të përmendet fakti se siç Exit News ka raportuar më parë, Shqipëria është vendi që kryen më pak testime në rajon 2 600 teste për çdo 1 milionë banorë.
Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia që kryejnë nga 7 600 deri në 9 700 teste për çdo 1 milionë banorë kanë raportuar një mesatare 16-25 vdekje.
Moldavia ka patur 111 viktima mes 3 771 të infektuarve. Hungaria 300 të vdekur nga 2 727 të infektuar, Maqedonia e Veriut 73 të vdekur mes 1442 të infektuarve, Rumania 688 vdekje ndër 3 600 të infektuar, Turqia 3081 vdekje mes 117 mijë të infektuarve dhe Sllovenia 84 të vdekur nga 1 418 të infektuar.