Kush është Vjosa Osmani, Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës?

Kush është Vjosa Osmani, Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës?

Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas, Vjosa Osmani arriti të bëhej edhe nënkryetare e kësaj partie.

Si deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për Integrime evropiane.

E lindur më 17 maj të vitit 1982 në Mitrovicë, Osmani ku përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në këtë qytet, para se të kryente studimet për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Studimet e nivelit master dhe të doktoraturës po për drejtësi, Osmani i ka kryer në Universitetin e Pitsburgut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, Osmani u bë ligjëruese e rregullt aty ku i kishte nisur studimet për drejtësi, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron lëndë nga fushat e së Drejtës Ndërkombëtare.

Nga gushti i vitit 2006 e deri në shtator të vitit 2010, Osmani ka qenë këshilltare e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Kritike e madhe e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Vjosa Osmani është ngritur shumë politikisht duke kritikuar atë dhe qeverisjet e tij.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, Osmani ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së.

Në këto zgjedhje ajo fitoi 176 mijë vota, duke dalë e dyta më e votuar në Kosovë, pas liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Më 3 shkurt 2020, Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke u bërë kështu gruaja e parë që ka mbajtur këtë pozitë.

Me propozim të kryetarit të atëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, në qershor të vitit 2020, me arsyetimin se kishte shkelur statutin e partisë kur ishte deklaruar kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, shkarkoi Vjosa Osmanin nga të gjitha pozitat drejtuese në këtë parti.

Pas kësaj, nisi një periudhë afrimi mes Vjosa Osmanit dhe ish-kryeministrit, Albin Kurti, që rezultoi me përfshirjen e Osmanit në listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, me një listë të saj të veçantë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Vjosa Osmani ka marrë më shumë se 300 mijë vota, duke rezultuar politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, kur Serbia ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Osmani ka qenë pjesë e ekipit ligjor që ka mbrojtur shpalljen e pavarësisë së Kosovës në GJND.

Vjosa Osmani është e martuar me Prindon Sadriun, i cili punon në Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe është edhe ushtarak rezervist i FSK-së. Ata kanë dy vajza binjake.

 

The post Kush është Vjosa Osmani, Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës? appeared first on https://www.evropaelire.org/a/kush-eshte-vjosa-osmani-/31185195.html

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>