Kryeministri Rama ndryshoi sot tetë ministra të qeverisë. Ai e bëri të ditur lajmin gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste. Ministrat e rinj janë:
Anila Denaj, deri më tani Drejtoresha e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, emërohet Ministre e Financave. Ajo zëvendëson Arben Ahmetajn.
Belinda Balluku, deri më tani Drejtoresha e Albcontrol-it, emërohet Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo zëvendëson Damian Gjiknurin.
Besa Shahini, deri më tani zëvendësministre e Arsimit, zëvendëson Lindita Nikollën në Ministrinë e Arsimit.
Gent Cakaj deri më tani zëvendësminsitër i Punëve të Jashtme, zëvendëson Ditmir Bushatin në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme.
Bledi Çuçi, ish-Ministër i Pushtetit Vendor, aktualisht deputet, emërohet Ministër i Bujqësisë. Ai do të zëvendësojë Niko Peleshin.
Elva Margariti, deri më tani Koordinatore Kombëtare në Kryeministri për Projektin “100 Fshatrat”, emërohet Ministre e Kulturës. Ajo zëvendëson Mirela Kumbaron.
Eduard Shalsi, ish-ministër i Pushtetit Vendor, aktualisht deputet, emërohet Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ai zëvendëson Sonila Qaton.
Elisa Spiropali, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, aktualisht deputete, emërohet Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Erion Brace, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë emërohet Zëvendës Kryeministër. Ai zëvendëson Senida Mesin.