Disa nga proceset më të rëndësishme në rajon – hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, reforma e metodologjisë së zgjerimit, zgjidhja e krizave politike në rajon – janë ende në vazhdim. Shumë aktorë politikë do të përfshihen në to, por vetëm një pjesë e vogël do të marrin vendime dhe do të dërgojnë mesazhe që do të jenë vendimtare për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Kështu shkruan portali European Western Balkan, i cili në artikullin e tij listoi individët që do të përcaktojnë të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2020.
Më poshtë po sjellim listën në mënyrë të përmbledhur.
Emmanuel Macron, i cili dërgoi mesazhe shkurajuese për ata që shpresojnë për anëtarësimi e shpejtë të rajonit, dhe më pas bllokoi hapjen e bisedimeve të antarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vitin e kaluar.
Andrej Plenković, kryeministri i Kroacisë. Kroacia merr presidencën e Këshillit Europian dhe takimi midis udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Zagreb, pritet të jetë një nga eventet kryesore të gjysmës së parë të vitit 2020.
Olivér Várhelyi, Komisioneri për Zgjerimin, i cili paraqiti propozimet e tij për reformën në procesin e zgjerimit. Këto propozime, të cilat do të diskutohen në janar, priten të shkaktojnë kritika, sepse procesi nuk do ti kënaqë të gjithë.
Tonino Picula, raporteri për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian. Ai do të ndikojë direkt në qëndrimin që do të mbajë PE në samitin e Zagrebit mbi përmbushjen e reformave nga Shqipêria dhe Maqedonia e Veriut për hapjen e bisedimeve me BE.
“Unë do të paraqes propozimet e reja që do të kontribuojnë në këtë momenti të ri të politikës të ngadaltë të zgjerimit të BE-së në dekadën e tretë të shekullit 21” është shprehur ai.
Dy europarlamentarët Tanja Fajon dhe Vladimir Bilčik, për shkak të rolit të rëndësishëm që ata luajnë në zgjidhjen e krizës politike në Serbi. Pas tre raundeve të dialogut të ndërmjetësuar nga Parlamenti Evropian, Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Serbi Tanja Fajon dhe raporteri i Serbisë në PE Vladimir Bilčik deklaruan se ata do të ndihmojnë Serbinë për të dalë nga kriza politike.
Presidenti i Partive Popullore Europiane Donald Tusk dhe Presidenti i Partive Euro Socialiste Sergei Stanishev, paraqesin rëndësi për shkak se përfaqësojnë dy nga grupimet partiake më të mëdhaja në PE.
Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Evropian, Josep Borrell, i cili ka pohuar vazhdimisht se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja Beograd-Prishtinë do të jetë një nga përparësitë e tij kryesore. Ai ka thenë se do të vizitojë të dy kryeqytetet së shpejti.
Kryeministri i Hollandës Mark Rutte, i njohur si ndër të paktët lider europian, i cili mbështeti Macronin për çështjen e Maqedonisë së Veriut dhe, veçanërisht, Shqipërisë. Qeveria e tij debatoi, madje paraqiti një kërkesë BE-së për të vendosur regjimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Ai shihet si një nga kundërshtarët e anëtarësimit të Kosovës në Shengen.
Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. EWB shkruan se përpara disa viteve, ishte e pamundur që kancelarja Merkel të mos ishte pjesë e kësaj liste, por me ndërhyrjen në dialogun Beograd-Prishtinë apo dështimin për të bindur Macronin për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, roli i saj duket se po shuhet. Ndërkohë për Presidenten e KE do të jetë një vit i rëndësishëm përsa i përket rolit në procesin e zgjerimit. Më herët ajo ka mbështetur hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.