Kush janë Talibanët, nga ngjitja në pushtet tek rikthimi në Kabul pas 20 vitesh

Nga Exit News
Kush janë Talibanët, nga ngjitja në pushtet tek rikthimi në Kabul pas 20 vitesh

Talibanët u rrëzuan nga pushteti në Afganistan nga forcat ushtarake të drejtuara nga SHBA në 2001, por grupi është hedhur në sulm muajt e fundit dhe tani është në prag të marrjes së pushtetit përsëri.

Ndërsa SHBA po përgatitej të përfundonte tërheqjen e saj nga Afganistani më 11 shtator, pas dy dekadash luftë, talebanët morën qytetet kryesore dhe tani kanë arritur në periferi të kryeqytetit Kabul.

Grupi hyri në bisedime të drejtpërdrejta me SHBA në vitin 2018, dhe në shkurt 2020 të dyja palët arritën një marrëveshje paqeje në Doha sipas të cilës SHBA do të tërhiqte forcat ushatarake dhe talebanët të do të parandalonin sulmet ndaj forcave amerikane. Premtimet e tjera përfshinin mos lejimin e al-Kaedës ose militantëve të tjerë për të vepruar në zonat që kontrollonte dhe duke vazhduar me bisedimet e paqes kombëtare.

Por vitin që pasoi, talebanët vazhduan të sulmonin forcat afgane të sigurisë dhe civilët, dhe përparuan me shpejtësi në të gjithë vendin.

Ngjitja në pushtet

Talibanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani. Besohet se lëvizja pashtune u shfaq për herë të parë në seminaret fetare të financuara nga Arabia Saudite në të cilat predikohet një formë e rreptë e islamit sunit.

Premtimi i bërë nga talebanët, në zonat Pashtunore që përfshijnë Pakistanin dhe Afganistanin, ishte të rivendoste paqen dhe sigurinë dhe të zbatonte versionin e tyre të rreptë të Sheriatit, ose ligjit Islam, sapo të vinin në pushtet.

Nga Afganistani jug-perëndimor, talebanët e zgjeruan shpejt ndikimin e tyre. Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Heratit, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul, duke përmbysur regjimin e Presidentit Burhanuddin Rabbani, një nga etërit themelues të muxhahidinëve afganë që i rezistuan pushtimit sovjetik. Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit.

Populli i afgan i mirëpriti talebanët kur u shfaqën për herë të parë. Pas marrjes së pushtetit popullariteti u rrit kryesisht për shkak të suksesit në shuarjen e korrupsionit, frenimin e paligjshmërisë dhe bërjen e rrugëve dhe zonave nën kontrollin e tyre të sigurta për lulëzimin e tregtisë.

Por talebanët gjithashtu prezantuan dënime të reja në përputhje me interpretimin e tyre të rreptë të ligjit të Sheriatit, të tilla si ekzekutimet publike të vrasësve dhe shkelësve të kurorës (tradhëtia bashkëshortore) dhe prerjen e dorës për ata që u shpallën fajtorë për vjedhje. Burrave u kërkohej të mbanin mjekër dhe gratë duhej mbuloheshin me burka.

Talebanët gjithashtu ndaluan televizionin, muzikën dhe kinemanë, dhe ndaluan vajzat e moshës mbi 10 vjeç të shkonin në shkollë.

Vëmendja ndërkombëtare pas sulmeve të 11 Shtatorit

Talebanët në Afganistan tërhoqën vëmendje ndëkombëtare pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në New York. Talebanët u akuzuan se siguruan fshehjen e të dyshuarve kryesorë Osama Bin Laden dhe lëvizjen e tij al-Kaeda.

Më 7 tetor 2001, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga SHBA filloi sulmet në Afganistan, dhe deri në dhjetor regjimi taleban ishte rrëzuar. Udhëheqësi i atëhershëm i grupit, Mullah Mohammad Omar, dhe figura të tjera të larta, përfshirë Bin Laden, iu shmangën kapjes.

Thuhet se shumë udhëheqës të lartë talebanë u strehuan në qytetin pakistanez Quetta, nga ku drejtonin talebanët.

Pavarësisht numrit gjithnjë e më të madh të trupave të huaja, talebanët u ringritën gradualisht dhe më pas zgjeruan ndikimin e tyre në Afganistan, duke i bërë pjesët e mëdha të vendit të pasigurta dhe dhuna në vend u kthye në nivelet që nuk ishin parë që nga viti 2001.

Shpresat për një paqe të negociuar u ngritën në vitin 2013, kur talebanët njoftuan planet për të hapur një zyrë në Katar. Por mosbesimi nga të gjitha anët mbeti i lartë dhe dhuna vazhdoi.

Në gusht 2015, talebanët pranuan se kishin fshehur vdekjen e Mullah Omarit për më shumë se dy vjet. Muajin pasues, grupi tha se kishte zgjedhur një udhëheqësi të ri Mullah Mansour, i cili kishte qenë zëvendës i Mullah Omar.

Pothuajse në të njëjtën kohë, talebanët morën kontrollin e një kryeqyteti krahinor për herë të parë që nga humbja e tyre në 2001, duke marrë kontrollin e qytetit strategjik të rëndësishëm të Kunduzit.

Mullah Mansour u vra në një sulm me dron amerikan në maj 2016 dhe u zëvendësua nga zëvendësi i tij Mawlawi Hibatullah Akhundzada, i cili është drejtuesi aktual i grupit.

Ofensiva për rimarrjen e pushtetit në Afganistan

Një vit pas marrëveshjes së paqes me SHBA në shkurt 2020, talebanët duket se i zhvendosën taktikat e tyre nga sulmet komplekse në qytete dhe pika ushtarake në një valë vrasjesh që synonin të terrorizonin civilët afganë.

Objektivat ishin gazetarë, gjyqtarë, aktivistë të paqes, gra në pushtet. Kjo gjë sugjeronte se talebanët nuk kishin ndryshuar ideologjinë e tyre ekstremiste por vetëm strategjinë e tyre.

Pavarësisht shqetësimeve të mëdha nga zyrtarët afganë për dobësinë e qeverisë ndaj talebanëve pa mbështetje ndërkombëtare, presidenti i ri amerikan, Joe Biden, njoftoi në prill 2021 se të gjitha forcat amerikane do të largoheshin nga vendi deri më 11 shtator dy dekada nga dita e sulmeve në New York.

Pas njoftimit të tëheqjes së SHBA talebanët filluan të pushtonin zona të mëdha territori në Afganistan, duke kërcënuar se do të rrëzojnë edhe një herë një qeveri në Kabul, pas tërheqjes së një fuqie të huaj.

Grupi mendohet se tani është më i fortë në numër sesa në çdo moment që kur u rrëzuan në 2001, me rreth 85 000 luftëtarë, sipas vlerësimeve të fundit të NATOs.

Përparimi i tyre ka qenë më i shpejtë nga sa ishte menduar. Gjenerali Austin Miller, komandanti i misionit të udhëhequr nga SHBA në Afganistan, paralajmëroi në qershor se vendi mund të jetë në rrugën drejt një lufte civile kaotike, të cilën ai e quajti “shqetësim për botën”.

Sidoqoftë, në shumë raste talebanët kanë qenë në gjendje të marrin qytetet kryesore pa luftë, pasi forcat qeveritare u dorëzuan për të shmangur viktimat civile.

Një vlerësim i inteligjencës amerikane në të njëjtin muaj thuhet se arriti në përfundimin se qeveria afgane mund të bjerë brenda gjashtë muajve nga largimi i ushtrisë amerikane.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>