Kush ka frikë nga Albin Kurti?

Nga Griselda Qosja
Kush ka frikë nga Albin Kurti? Albin Kurti

Ato kontekse politike të cilat mund të përmblidhen nën një apo dy emra të përveçëm, janë fatkeqësi për cilindo vend. Nëse Marksi e shihte të ardhmen e socializmit në mungesën e aparatit shtetëror dhe të të gjitha kufizimeve që përfaqëson, demokracia kërkon medoemos humbjen e emrave të përveçëm dhe të vullnetit politik të realizuar nga një njeri i vetëm.

Shqipëria dhe Kosova gjatë shekullit të fundit, në vend të ideologjive politike janë udhëhequr nga figura politike. Kjo pamundësi për të ndarë politikën nga personi vjen jo pa rreziqet e saj.

Në Shqipëri është përkthyer në uzurpimin e hapësirës politike prej disa emrash të përveçëm, ndërsa në Kosovë për shkak të rrethanave, emrat e përveçëm kanë qenë një domosdoshmëri në zhvillimin e qëllimeve të caktuara, të paktën deri tani.

Në Shqipëri, kjo mund të ketë ardhur si pasojë e një ndërthurje të traditës hiearkike (patriarkale) dhe traditës autoritative të regjimeve të shkuara. Ndërsa në Kosovë, përbri kësaj ndërthurje vendoset edhe lufta për pavarësinë. Suksesi i së cilës përkonte me domosdoshmërinë e një udhëheqje, udhëheqje e cila përkonte edhe me një sakrificë personale.

Pjesa më e madhe e figurave politike në Kosovë, janë pjesë e saj edhe për shkak të gadishmërisë për të rrezikuar lirinë, ndonjëherë edhe jetën.Përpos mangësive dhe gabimeve të tyre, këto sakrifica duhen njohur.

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj qenë pjese e rëndësishme e përpjekjeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa Albin Kurti qysh herët ndihmoi dhe u vendos në krye të organizimit të protestave kundër qeverisë.

Teksa Thaçi dënohej në mungesë nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës në 1997, Kurti ndodhej në vijën e parë të protestës studentore çka do ta kthente në të ardhmen në një shënjestër të sulmeve jugosllave, ndoshta edhe më shumë se Thaçin apo Haradinajn. Kjo edhe pse Thaçi me Haradinajn, u bëne lehtësisht pjesë e kontekstit partiak, ndërsa Kurti refuzoi të lidhte përpjekjet e tij politike me sistemin partiak deri kur Vetëvendosja, u paraqit si një alternativë zgjedhore në 2010.

Në këto dhjetë vite, Kurti e ka pozicionuar Vetëvendosjen qartazi në kundërshti të qëndrimeve të deri tanishme përkundrejt ndërkombëtarëve dhe çdo qytetar që votoi në zgjedhjet e tetorit e pati të qartë pozicionin dhe qëndrimin politik të Vetëvendosjes.

Kërkesa për mosbesim vetëm 50 ditë pas formimit të qeverisë dhe ardhjes në detyrë të Kurtit, është e panatyrshme.

Së pari, sepse të gjykosh punën e një qeverie në një hapësire kohore kaq të shkurtër është e pavend dhe, së dyti, sepse LDK-ja hyri në koalicion duke marrë në konsideratë ndasitë ideologjike me LVV-në. Së treti, një lëvizje e tillë politike në mesin e një pandemie serioze është e pamoralshme.

Mocioni i mosbesimit, nuk ishte një coup d’état, por një coup ndaj Kurtit.

Programi politik i Vetëvendosjes është i guximshëm, dhe kërkon gjithaq një elitë të guximshme politike për ta vënë në zbatim, por nuk është asesi radikal.

Një program i tillë, prek interesat dhe shqëtëson një grup të gjerë njerëzish si brenda ashtu edhe jashtë vendit, por megjithatë nuk synon asgjë më shumë se sa është arritur nga vendet e rajonit ndërsa Kosova luftonte për pavarësinë.

Qeveria e kryesuar nga Kurti synon të ndalojë privatizimin e mëtejshëm të vendit, të luftojë korrupsionin si dhe vendosjen e një takse progresive.

Këto synime janë përmbushja e disa kritereve themelore për të krijuar një demokraci të qëndrueshme e për të çuar vendin drejt zhvillimit.

Kurti u shpreh gjithaq në një interviste se kalimi i një ligji anti-mafia do të krijojë hapësirën ligjore për konfiskimin e pasurive të përvetësuara jo ligjërisht dhe pastrimin ekonomisë së vendit. Një ligj i ngjashëm i quajtur “Dispozitat kundër Mafias“ është miratuar në 1963 në Itali dhe në 2009 një Ligj Anti-Mafia hyri në fuqi edhe në Shqipëri.

Kurti mund të jetë konsideruar një pengesë kryesore në arritjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Nënshkrimi i së cilës do të ishte edhe një arritje në politikën e jashtme  të administratës Trump të Shteteve të Bashkuara. Interesat e vendeve të vogla, marrin rëndësi kur janë në shërbim të fuqive të mëdha.

Radikaliteti që karakterizonte Kurtin deri një dekadë më parë ka humbur. Në ditët e sotme rrethanat politike në Kosovë e kanë kushtëzuar të moderohet dukshëm.

Kurti eshte pro-europian dhe beson në njësimin e Bashkimit Europian me Europën gjeografike. Gjithaq Kurti nuk është anti-amerikan, por është kundër vasalitetit të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe këto janë dy gjëra të ndryshme.

Vetëvendosja sulmohet sot për një radikalitet që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë përsa kohë ndryshime radikale nuk ndodhin në vendet e fuqishme europiane. Në të tilla kushte Vetëvendosjes i kanoset i njëjti fat si Sirizës në Greqi.

Fatkeqësisht, kur kauzat lidhen pashmangshmërisht me figurat politike, në disa raste kjo më së shumti i pengon se sa u vjen në ndihmë. Kurti në ndërgjegjien politike të shqiptarëve mbetet revolucionar dhe, për rrjedhojë shkakton druajtje edhe kur nuk premton asnjë revolucion.

Ndryshimet që  kryeministri Kurti do të donte të sillte në Kosovë do të kishin më shumë gjasa të arriheshin si një përpjekje kolektive (edhe së bashku me LDK-në) se sa si një përpjekje e lidhur drejtëpërsedrejti me emrin e tij. Sikur kryeministri, të kishte qenë gati të bënte edhe një tjetër sakrificë ndoshta do të kish mundur të siguronte një rrugë më të sigurte për misionin e tij politik.

Suksesi i vërtetë i një ideje politike arrihet atëherë kur mund të mbijetojë edhe pa iu bashkëlidhur një udhëheqësi. Kurti duhej të ishte vetëm një instrument në realizimin e objektivave të Vetëvendosjes, të cilat duhet të merrnin përparësi përballë tij.

Kosova nuk ishte ende gati për të patur kryeminister Kurtin. Dëshira e vetë tij,  por edhe e anëtareve të partisë dhe elektoratit është një dëshirë e kuptueshme por jo e justifikueshme për kohën.

Nëse Vjosa Osmani do të kishte kryesuar qeverinë, ndoshta drama e mosbesimit të qeverisë do të qe shmangur. Osmani më shumë se njëherë ka treguar përafri ideologjike me LVV-në— qëndrimi i saj kundër mocionit të mosbesimit është tregues i maturisë dhe ndershmërisë së saj politike. Ajo nuk e la përkatësinë partiake të cënonte gjykimin se nga rënia e qeverisë as LDK-ja dhe as LVV -ja nuk do të përfitonte dhe se humbja do t’i takonte vetëm popullit të Kosovës.

Plutarku tregon në një anektodë se si Pirroja i Epirit teksa e përgëzuan për fitoren mbi romakët tha se nëse do të dilnin fitimtar edhe në një betejë tjetër me ta, do të ishin krejtësisht të shkatërruar. Edhe nëse qeveria nuk do të shpërbëhet, kjo do të jetë një fitore epirike.

Mocioni ka krijuar një situatë pasigurie dhe ka dërguar sinjale të gabuara tek ndërkombëtarët, të cilët janë ende të gatshëm të përfshihen aktivisht në punët e brendshme të një vendi sovran.

Kosova nuk mund të jetë dhe nuk duhet të bëhet palë e lojërave gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në rajon. Këte e kuptuan edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Ambjentit, Lumit Abdixhiku, si dhe deputetët  e LDK-së të cilët qenë kundër mocionit të mosbesimit. Kjo veç duhet arritur ngadalë dhe pa fanfarë.

Megjithatë situata e krijuar prej mocionit të mosbesimit ka edhe përparësitë e saj. Në një kohë kur Presidenti u përpoq të merrte përsipër një rol mbikushtetues që nuk i takonte, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit presidencial e detyroi këtë të fundit të tërhiqet. Ndoshta ky do të jetë një leksion i mirë se ligjshmëria dhe institucionet vinë përpara vullneteve politike të figurave të përveçme.

E vetmja mënyre kushtetuese që kundërshtarët e  kryeministrit kanë janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kushdo që do t’i donte të mirën vendit do t’i jepte Vetëvendosjes mundësinë dhe kohën për të zbatuar programin e saj politik. Në përfundim, të mandatit populli sovran do të vendosë.

 

 

1 koment

  1. a 8 Maj, 2020 në 9:31 pm

    Në fakt koha e tregoi që askush nuk ka frike nga Albini, do bëhen zgjedhjet e parakohshme në verë, e do rri dhe 4 vjet të tjera në opozitë. Ngaqë u tregua i papjekur, nuk diti të luaj shahun politk, vuri mëritë personale përpara dhe u be paranojak. U bë kryeminister e nuk arriti të mbrojë interesat dhe premtimet për të cilat u votua dhe ka vite që lufton sepse nuk ndenji dot më shumë se 50 ditë se ja “futi” një plak me shtagë dhe një me nofkën gjarpri, e si do i mbroje tani që nuk do jetë më në vendimarrje? Justifikimet nuk i duhen askujt.

    Nëse do ishte LDK në krye dhe mocionin do e bënte LVV, e kryeministri i LDK do vazhdonte si Albini, LVV do e kishte “djeg” parlamentin dhe do fillonte mosbindja civile. çfarë priste Albini me shkarkimin e ministrit të LDKs? do kalonte në heshtje? apo me duartrokitje? Nëse në Shqipëri, Berisha apo Rama do shkarkonin në mes të natës një ministër të LSI se u deklarua dhe ka qene që në fillim kundër kualicionit, Shqipëria shkonte në zgjedhje të parakohshme, nuk ka ekuacion që nxjerr rezultat tjetër.

    Nuk mund ti shmangesh përjetësisht problemeve, duhet të përballesh me to e ti luftosh. Strategjia e Albinit për çështjen e dialogut me ndërmjetësim Amerikan ishte pak a shumë zvarritje deri në zgjedhjet e Nëntorit, me shpresën se ditë më të mira do të vinin. Lejoi që Hashimi të jetë pika kryesore e kontaktit me Grenell. Po nëse fiton prap Trump cfare do bënte?
    Do zgjedhi ndërmjetësimin Europian? Sikur pasojat dhe dëmet e dialogut të Mogherinit nuk ishin mjaftueshëm të mëdhaja, por do pranonte Lajcak dhe Borreli, njeri i Sllovakisë e tjetri i Spanjës, shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe këto do dilnin kundër interesave të vendit të tyre të origjinës per hatër të Albinit?? Apo dialog direkt me Serbinë, si Hasha? Apo luftë?

    p.s: Albini realisht duhet ti shkëpusi lidhjet me këshilltaret Sorosistë dhe ish-anëtarët e LPKs. Hasha ka lidhje më të forta dhe më të hershme me Sorosin dhe grupin e majtë ne Europë, nuk do e ndronin kurrë Hashën për një të “pabindur” si Albini.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme