Kush përfiton nga masat ekonomike të Ramës?

Nga Jona Plumbi
Kush përfiton nga masat ekonomike të Ramës?

Qeveria shqiptare miratoi të enjten paketën me 22o milionë dollarë  në ndihmë të ekonomisë së dëmtuar nga situata e “shtetrrethimit”.  Garancia për kredi për kompanitë dhe ndihma për shtresat në nevojë zënë pjesën më të madhe të fondit. Pas këtij “plani A” me afat 3 mujor, kryeministri njoftoi edhe dy plane vijuese, B dhe C.

10o milionë dollarë ofrohen si garanci për kredi për bizneset që kanë vështirësi të paguajnë punonjësit. Sipas aktit normativ që hyn në fuqi sot, biznesi që do të marrë kredi, duhet t’i argumentojë bankës pamundësinë financiare. Bankat do të vendosin për çdo rast bazuar në një skemë të dakordësuar me qeverinë, kriteret e së cilës nuk janë ende publike.

Bizneset që nuk pranojnë të marrin kredi për të shlyer pagat e punonjësve, nuk kanë asnjë mënyrë tjetër përfitimi.

65 milionë dollarë shkojnë për nevojat më të menjëhershme për shtresat në nevojë, biznesin e vogël dhe papunësinë e mundshme. Për bizneset e vogla, qeveria ka parashikuar financim të drejtpërdrejtë për ditët e munguara të punës, bazuar në rregjistrat shtetëror.

Nëse aktiviteti është i hapur por punonjësit nuk shkojnë në punë nga frika e infektimit, ata nuk do të paguhen në çdo rast.

Për ata që punojnë në informalitet, kryeministri bëri një ftesë të vjetër: të denoncojnë pronarët e tyre. Shteti do i detyrojë këta pronarë t’i regjistrojnë punonjësit dhe të marrin kredi me garancin shtetërore, – tha Rama – në mënyrë që të mund t’i paguajnë rrogën atyre që i denoncuan.

Prindërit që janë të detyruar të shkojnë në punë, por kanë fëmijë në shtëpi, për shkak të mbylljes së kopshteve dhe shkollave deri në 3 Prill, nuk do të kenë asnjë lehtësim nga ky plan masash.

Lehtësim do të ketë për familjet dhe bizneset e vogla që i kanë borxhe Operatorit të Energjisë Elektrike. Për ta do të fshihen të gjitha kamatvonesat, por jo pagesat mujore të dritave. Pagesa e tatim fitimit për bizneset e vogla do të shtyhet gjithashtu, për në 6 mujorin e dytë të vitit.

20 milionë dollarë do të përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për ndihma humanitare, si dhënia e ushqimeve dhe produkteve të domosdoshme për familjet më të varfra dhe ata që janë në ndihmë ekonomike.

25 milionë dollarë do të shkojnë për ministrinë e Shëndetësisë për pajisje dhe materiale mjeksore dhe 10 milionë dollarë  si fond emergjence për Këshillin e Ministrave.

Qeveria ka mënjanuar përsëri ministren e ekonomisë dhe financave Anila Denaj, duke vendosur Arben Ahmetajn në krye të menaxhimit të këtij fondi, pas atij të rindërtimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>