Kuvendi do të zgjedhë sot dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, për vendin e mbetura bosh të Vladimir Kristos dhe Bashkim Dedes.
Më 14 tetor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi parlamentit dy lista me emrat e kandidatëve të përzgjedhur.
Për vendin e Bashkim Dedes, kandidatët janë:
- Arta Vorpsi – këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese;
- Fiona Papajorgji – këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese;
- Elsa Toska – këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Për vendin e Vladimir Kristos, kandidatët janë:
- Arta Vorpsi – këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese;
- Elsa Toska – këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese;
- Besnik Muçi – prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Sipas Kushtetutës, anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese duhet të marrin 84 vota në parlament, në rast të kundërt do të emërohet automatikisht i pari i listës.
Seanca plenare nuk ka kaluar pa debat. Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla akuzoi presidentin Meta për shkelje të afatit kushtetues 30 ditë për të zgjedhur anëtarin e dytë të GJK.
Sipas tij, Meta kërkon të favorizojë bashkëjetuesen e ish-deputetit të PD-së Enkelejd Alibeaj:
“Presidenti bën mirë të heqë maskën dhe të dalë të flasë troç. Presidenti nuk ka hallin e Kushtetutës dhe të afatit. Presidenti ka ngulmuar që lista nga KED ti shkojë me 4 veta. Sepse ka parë që e katërta e renditur është një person që Presidenti ka besim. Presidenti do të çojë në Gjykatë Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt.”
Presidenti Meta disa ditë më parë pezulloi përzgjedhjen e anëtarit të ri të GJK me argumentin se sipas Kushtetutës Kuvendi duhet të zgjedhë anëtarin e dytë të kësaj gjykate.