Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka kërkuar Presidentit Meta të propozojë kandidaturat për kryetar të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
“Presim propozimin tuaj për kreun e KLSH-së. Kemi muaj që presim emrin për kreun e KLSH. Presidenti duhet të respektojë afatet sipas Kushtetutës”- shkruan zoti Ruçi në një letër dërguar Presidentit Ilir Meta.
Letrës së kryetarit të Kuvendit iu përgjigj zëdhënësi i Presidentit Meta, Ted Blushi, i cili sqaroi se Presidenti ka dërguar tri kandidaturat e tij për kryetar të KLSH-së.
“Presidenti Meta si gjithmonë do të përmbushë detyrimet e Tij kushtetuese për të garantuar pavarësinë e institucioneve”, shkruan Blushi në një postim në Facebook.
Në dhjetor 2018 mbaroi mandati 7-vjeçar i Kryetarit të tanishëm të KLSH-së Bujar Leskaj.
Por Kuvendi ka refuzuar tre kandidatë të ndryshëm të paraqitur nga Presidenti Meta për postin e Kryetarit të Kontrollit të Shtetit, deri tani.