Kuvendi rrëzoi të martën dekretin e Presidentit Ilir Meta për rishikimin e ligjit që rregullon pranimin dhe karrierën në Forcat e Armatosura. Ligji u miratua në Kuvend me 83 vota kundër dhe 10 abstenim.
Meta e ktheu ligjin për rishkim më 26 shkurt 2021. Vendimin e tij ai e bazoi në këto tre arsye kryesore:
Së pari, ligji i ri ul nivelin e arsimit të kërkuar për t`u përfshirë në Forcat e Armatosura, nga i mesëm në 9-vjeçar.
Së dyti, ligji i mëparshëm përcaktonte kriteret mbi arsimin dhe kualifikimin me qëllim përparimin në gradë. Në ligjin e ri, kriteret përcaktohen sipas politikës së arsimimit të Forcave të Armatosura. Kjo politikë, miratohet nga ministri i Mbrotjes.
Arsyeja e tretë që presidenti dha për kthimin e ligjit lidhet me rastet kur një ushtarak mund të emërohet në një funksion më të ulët.
Kjo gjë ndodhte vetëm në rast riorganizimi strukturor dhe me kërkesë të vetë ushtarakut. Me ligjin e ri, hiqen këto dy kritere. Emërimi në një funksion më të ulët mund të bëhet një herë në 3 vjet, për jo më shumë se 1 vit.
Sipas Metës këto ndryshime “e vënë ushtarakun në një pozitë aspak të favorshme, cenojnë ecurinë në karrierën ushtarake në mënyrën më të rëndë të mundshme, duke i bërë ushtarakët të lëvizshëm në funksione që nuk përputhen me gradën që mbajnë (qoftë dhe përkohësisht), sipas vullnetit të eprorëve.”