Kuvendi miratoi sot me 97 vota pro rezolutën e dytë kundër Presidentit Ilir Meta dhe i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të mos zbatojë dekretin e tij për emërimet në Gjykatën Kushtetuese (GJK).
E thirrur nga mazhoranca në seancë të jashtëzakonshme parlamentare, rezoluta e akuzon Presidentin se tejkaloi kompetencat me emërimin e Marsida Xhaferllarit anëtare të GJK. Sipas socialistëve në vendin e Xhaferllarit qe emëruar automatikisht Arta Vorpsi “prej faktit se Presidenti nuk u shpreh brenda afatit 30 ditor të përcakuar në Kushtetutë”.
Reformimi i Gjykatës Kushtetuese u zhyt në kaos me pretendime të ndryshme nga Presidenti, i cili këmbëngul se Kushtetuta nuk i cakton atij afat për zgjedhjen e anëtarëve. Tashmë situata në Gjykatën Kushtetuese është me pretendime për postin mes Marsida Xhaferllarit të zgjedhur nga Presidenti dhe Arta Vorpsit, të njohur nga parlamenti.
Kjo është rezoluta e dytë që mazhoranca kalon në Kuvend kundër Presidentit Meta. Në qershor pasi Zoti Meta kishte dekretuar anulimin e datës 30 qershor si datë zgjedhjesh vendore, mazhoranca miratoi një rezolutë, e cila theksonte edhe atëherë tejkalimin e kopetencave të Presidentit.
Rezoluta e qershorit u miratua me 100 vota pro. Ajo u tha se do t’i bashkëngjitej një mocioni të mundshëm shkarkimi të Presidentit. Në fakt socialistët ngritën komision parlamentar për shqyrtimin e këtyre pretendimeve dhe kërkuan opinion nga Komisioni i Venecias. Komisioni minimizoi kritikat ndaj dekretit dhe hodhi poshtë arsyet e shkarkimit të Presidentit, por megjithatë socialistët vendosën të vazhdonin me procedurat e shkarkimit të tij.
Në diskutimet e sotme në parlament, Kryeministri Rama bëri thirrje që çështja e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese të konsiderohej seriozisht në Komisionin për shkarkimin e Presidentit. Ky i fundit theksoi se për shkarkimin e tij do të duhet vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk ka kuorum për të marrë vendime, pasi edhe pse ka 6 anëtarë të zgjedhur, 2 prej tyre pretendojnë të njëjtin vend nga 9 që ka Gjykata.