Kuvendi përmbylli të mërkurën votimin e ligjeve të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit.
Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla deklaroi në Kuvend se zgjedhjet e 25 prillit do jenë zgjedhjet me standardet më të mira demokratike.
Ai i bëri thirrje PD dhe LSI që të përshëndesin votimin në Kuvend dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.
“I bëj thirrje çdo partie politike që nga ky moment që hyjmë në atë 4-mujorin e procesit parazgjedhor të heqë dorë nga retorikat e panevojshme të cilat nuk i bëjnë mirë procesit zgjedhor.
I bëj thirrje PD dhe LSI ta përshëndesin votimin e kuvend të të gjithë kuadrit ligjor që lidhet me respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit se duke mos qenë në Kuvend, deputetët e kanë mbështetur”, deklaroi të mërkurën në Kuvend Balla.
Më 23 Korrik, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit.
Ndryshimet u miratuan me 97 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenime.
Marrëveshja e 5 qershorit ndryshon Kodin Zgjedhor nëpërmjet amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik mes PS, opozitës parlamentare dhe PD- LSI.
Më 14 dhjetor, Komisioni i Venecias dhe ODIHR shprehën keqardhje për miratimin e nxituar të ndryshimeve në kushtetuese dhe kodit zgjedhor por shtuan se përmbajtja e tyre nuk bie ndesh me standardet ndërkombëtare.
Exitr argumentoi në një artikull se ndryshimet e miratuara trajtojnë vetëm disa prej shqetësimeve të ngritura nga OSBE/ODIHR gjatë 4 palë zgjedhjeve të fundit, por ato:
- Nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për praktikat e kudo ndodhura të blerjes së votës apo një hetim i pavarur i vjedhjes së zgjedhjeve në 2017 dhe 2019;
- Nuk departizojnë organet e administrimit zgjedhor;
- Nuk japin asnjë zgjidhje për kufizimet e moshës në listat e votimit, asnjë dhënie të të drejtës së votimit për personat me probleme mendore;
- Nuk rrisin transparencën duke u siguruar vëzhguesve të pavarur me protokollet e rezultateve;
- Nuk u shfuqizua ligji për shpifjen;
- Nuk u sigurua asnjë përfaqësim i balancuar gjinor në organet zgjedhore.