Kuvendi rrëzoi dy dekretet e Presidentit Ilir Meta në lidhje me paketën anti KÇK dhe ligjin e pronave.
Presidenti Meta ktheu pak kohë më parë të dy projektligjet. Në lidhje me paketën Anti KÇK, Presidenti Meta argumentoi se akti normativ cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar.
Ndërsa për Ligjin e Pronave, Meta vuri në në dukje se ky ligj nuk kaloi për miratim si paketë bashkë me ligjin për Kadastrën, siç ishte propozuar. Ai ngriti shqetësimin se disa nene të ligjit favorizojnë në proceset e kalimit të pronësisë bizneset dhe persona të cilët kanë siguruar të drejta mbi pronësinë e fshatrave turistike.
Gjithashtu Kuvendi miratoi me 94 vota pro vendimin e qeverisë për të shtyrë me dy muaj, pagesën e qirave të bizneseve dhe studentëve.
Në një artikull të mëparshëm, Exit argumentoi se akti normativ i qeverisë për të shtyrë pagesën e qirasë është i pavlefshëm dhe nuk mund të zbatohet. Kjo për dy arsye:
Së pari sepse Kushtetuta nuk lejon që qeveria të ndërhyjë në këto marrëdhënie private midis qytetarëve dhe aq më tepër ti kufizojë ato.
Së dyti se akti bie në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila është shprehur se një ligj, miratimi i të cilit bëhet me tre të pestat e Kuvendit, nuk mund të ndryshohen me akte normative.