Kuvendi do të shqyrtojë sot me 22 tetor propozimin e shumicës socialiste për të kufizuar veprimtarinë e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) vetëm pas Luftës Nacional Çlirimtare.
Projektligji parashikon dy ndryshime:
- Kuvendi të miratojë strukturën e ISKK
- Të ndalohet studimi për periudhën përpara 29 nëntor 1944
Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) u krijua në vitin 2010 me ligj të posaçëm. Ai financohet nga buxheti i shtetit dhe ka si qëllim zbardhjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për krimet e kryera në kohën e komunizmit.
Në ligjin e vitit 2010 thuhej se “periudha e komunizmit është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila më pas, u kthye në Parti e Punës”.
Me këtë përkufizim Instituti ka mbështetur studime edhe të periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Mes tyre, më i diskutueshmi ka qenë botimi i studiuesit Çelo Hoxha “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1944”.
Në studimin e botuar në vitin 2014, Hoxha ka listuar 265 emra të drejtuesve të luftës, të cilët në mbështetje të dokumenteve arkivore, i ngarkon me përgjegjësi për krime si pushkatime, djegje shtëpish, plaçkitje etj.
Ky botim ishte në qendër të debateve që u nxitën nga socialistët për të justifikuar ndryshimin e ligjit.
Duke marrë shkas se viti 2019 shënoi 75-vjetorin e çlirimit të vendit, socialistët e konsideruan punën e ISKK me periudhën e Luftës së Dytë Botërore, si “baltë mbi dëshmorët”.