Kuvendi vendos datën për referendumin e emrit të Maqedonisë

Kuvendi vendos datën për referendumin e emrit të Maqedonisë

Më 30 shtator, Maqedonia do të mbajë referendumin për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit. Vendimi u mor nga kuvendi maqedonas me 68 vota pro nga 120 deputetë.

Pytja e cila do t’i drejtohet qytetarëve do të jetë “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”

Refendumi do të jetë konsultues për qeverinë dhe kuvendin, por nuk ka fuqi vendimmarrëse. Që referendum të quhet i vlefshëm duhet që në votim të marrin pjesë mbi 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në Maqedoni.

Kryeministri Zoran Zaev e vlerësoi votimin e parlamentit pro referendumit si një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit:

“Siç e dini ky është një moment historik, jo vetëm për shkak të vendimit të referendumit, por edhe për shkak se përmes këtij vendimi do të definohet e ardhmja e Maqedonisë.”

Ndërkohë opozita, e cila nuk mori pjesë në votim, tha se qeveria e Zaev po mundohet të manipulojë qytetarët duke vënë në refendum një pyetje jo të qartë:

“Pyetja e referendumit, absolutisht se është manipuluese, pasi Ligji për referendumin është shumë i qartë. Pyetja e referendumit duhet të jetë e kuptueshme, e thjeshtë dhe me një kuptim. Këtë që e ka paralajmëruar pushteti ka më shumë kuptime apo tetë deri në nëntë kombinime të mundshme. Dikush mund të jetë për anëtarësimin në NATO, por jo edhe në BE apo e kundërta, apo dikush të jetë për këto dy organizata, por jo edhe për marrëveshjen për ndërrimin e emrit.

Pyetja duhet të jetë e thjeshtë dhe e kuptueshme. Qytetarët duhet të përgjigjen se a janë apo jo për Marrëveshjen me Greqinë që parasheh ndryshimin e emrit të shtetit. Pra, kjo të mos lidhet me integrimet në NATO dhe BE, për të cilat mund të ketë referendum të veçantë.”

Marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë, e nënshkruar më 17 qershor, parashikon që emri i ri i Maqedonisë do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Ndërrimi i emrit do t’i jepte fund mosmarrëveshjes 25-vjeçare mes Greqisë dhe Maqedonisë dh do t’i hapte kësaj të fundit rrugën për anëtarësimin në NATO e më pas në BE.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>