Kuvendi zgjedh Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin anëtare të Gjykatës Kushtetuese

Nga Stafi i Exit
Kuvendi zgjedh Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin anëtare të Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi zgjodhi sot anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, këshilltaret ligjore të kësaj gjykate, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin.

Zonja Toska mori 105 vota pro dhe 2 vota kundër, ndërsa zonja Papajorgji 105 vota pro dhe 3 kundër. Sipas kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, zonja Toska ishte e vetmja kandidate nga lista e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij Arta Vorpsi është emëruar automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Presidenti Meta nuk u shpreh brenda afatit 30 ditor. Ndërkohë kandidati tjetër në listë Besnik Muçi është dekretuar si anëtar i GJK.

“Nga lista e paraqitur nga KED, Arta Vorpsi rezulton të jetë shpallur emëruar për vendin vakant, pas plotësimit të afatit 30 ditor, dhe në mungesë të ushtrimit të dekretimit, është botuar në fletore zyrtare. Kandidati i tretë gjithashtu i botuar në fletore zyrtare, me dekret të presidentit.”

Presidenti Meta disa ditë më parë pezulloi përzgjedhjen e anëtarit të ri të GJK me argumentin se sipas Kushtetutës Kuvendi duhet të zgjedhë anëtarin e dytë të kësaj gjykate.

Kushtetuta parashikon se “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Kështu Kuvendi ka zgjedhur në kundërshtim me rradhën që përcakton Kushtetuta, anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>