
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu i premtoi sot banorëve të Laçit se spitali i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit do të rindërtohet së shpjeti.
Gjatë një vizite në Laç, Zonja Manastirliu siguroi qytetarët se shërbimi i urgjencës nuk do të ndërpritet dhe do të ofrohet në një pikë provizore.
Ajo tha se shërbimet më të specializuara për këta qytetarë do të ofrohen në spitalin e Lezhës:
“Shërbimet e patologjisë, të obstetrikës të kirurgjisë, ofrohen në spitalin e Lezhës. Ndërkohë që gjithë organizimi me Urgjencën Kombëtare për sa i përket vajtjes në Lezhë do të jetë shumë efikas sepse do të shtohen dhe autoambulancat që të kemi një qarkullim më të shpejtë.”
Godina e spitalit të Laçit u dëmtua rëndë në strukturë nga tërmeti i 26 nëntorit. Instituti i Ndërtimit, pas vlerësimit, kërkoi zbrasjen e spitalit nga pacientët e mjekët dhe shpalljen e tij si jofunksional.
Aktualisht shërbimet urgjente në Laç po ofrohen në një çadër mjekësore, ngritur pranë spitalit.