Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, në një intervistë për REL, është shprehur se takimi i parë mes kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të ndodhë brenda disa javësh.
Lajçak thotë se ka marrë garanci nga udhëheqësit, nga vizitat e fundit në Prishtinë dhe Beograd, se janë të gatshëm ta vazhdojnë më tej dialogun.
Me Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës, Lajçak beson se ekziston një situatë e re politike sepse të dy bartësit e dialogut kanë mandate të fuqishëme.
Ai sugjeron se kjo do të ndihmojë me pranimin e shpejt të çfarëdo dakordësimi që do të ketë mes palëve.
Lajçak informoi se Këshilli Evropian e ka zgjatur mandatin e tij deri në gusht të vitit 2022 dhe se roli i tij do të jetë të sigurohet që procesi i negocitave është “proces europian“.
Ai e bëri deklaratën e fundit në lidhje me mundësinë e ndryshimit të kufijëve, për të cilën shtoi:
“Jam i bindur se ndryshimi i kufijve do të thoshte hapje e Kutisë së Pandorës, që gjë do të ishte shumë e rrezikshme dhe, në të njëjtën kohë, do të nënkuptonte se BE-ja, në njëfarë mënyre, ka hequr dorë nga ambicia e saj për të tërhequr rajonin e Ballkanit Perëndimor në radhët e veta, duke ndërtuar standarde evropiane, kulturë evropiane“.
Megjithëse Lajçak u shfaq optimist për mbështetjen e BE në Ballakan nga administrata Biden, ai nuk qe në gjendje të parashikonte se sa kohë do të duhet për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.