I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak është shprehur se nuk pret një marrëveshje të shpejtë mes palëve, raporton REL.
Lajçaku tha se s’do të organizojë takime të reja pa u formuar institucionet e reja të Kosovës, pas 14 shkurtit.
Duke folur në Komitetin për Politike dhe Siguri, ai prezantoi punën e bërë deri më tani. Lajçak është drejt fundit të mandatit të tij një vjeçar.
REL raporton se ai pret që Këshilli i BE-së t’ia vazhdojë mandatin.
Ai nuk ka dhënë detaje për afatet kohore mbi marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak ka thënë se duhet pritur që edhe Prishtina e Beogradi t’u tregojnë qytetarëve të vetë se çfarë kompromisesh janë të nevojshëm për një marrëveshje, raporton REL.
Para një viti në fillim të mandatit të tij, i dërguari i BE për dialogun shprehej se do të punonte për arritjen e një marrëveshje sa më shpejt.
Ndërsa tani qëndrim i tij është i ndryshe, duke thënë se nuk beson tek arritja e një marrëveshje të shpejtë.
Ai është ndalur edhe tek nevoja e bashkëpunimit mes BE dhe SHBA.
Më herët Lajçak ka thënë se ‘’Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mbështetur gjithmonë rolin udhëheqës të BE-së. Me Joe Biden president ka më shumë bashkëpunim mes SHBA dhe BE” .
Përfaqësuesit e vendeve të BE e kanë konsideruar si lehtësim të madh faktin se do të ketë një mbështetje amerikane për dialog, përcjell REL.
RE: raporton se sipas burimeve Lajçak ka thënë se “nuk pret më sabotime nga Uashingtoni”, duke iu referuar ish-ambasadorit Richard Grenell, i cili ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i ish-presidentit, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Pak kohë më parë Lajçak tha se shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi është një ide e rrezikshme.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Qeveria e Kosovës ka marrë pjesë në dialog për të marrë njohjen e Serbisë, edhe pas deklaratave të përsëritura nga udhëheqësit e Serbisë se ata nuk do ta njohin vendin.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.