Javën e shkuar, gazetarët e gazetës dikur më të madhe të Turqisë, ZAMAN, u dënuan me 8 deri në 10 vjet burg si anëtarë të një organizate terroriste të armatosur. Gazeta ZAMAN u konfiskua në mars 2016 dhe u ndalua menjëherë pas grushtit të shtetit të diskutueshëm të 15 korrikut 2016. Të gjitha pasuritë e saj i kaluan thesarit shtetëror.
Gazetaria ka qenë një profesion i rrezikshëm në Turqi kohët e fundit. Sipas Qendrës së Stokholmit për Liri, e cila u krijua nga gazetarët turq të mërguar në Suedi, aktualisht 178 gazetarë janë në burg, 143 syresh janë të kërkuar, ndërsa 61 prej tyre tashmë janë të dënuar.
Me këto të dhëna, Turqia, e cila është një vend kandidat për në BE, ku liria e shprehjes thuajse adhurohet, është burgu më i madh i gazetarëve në botë, madje shumë përpara Kinës. Kina, në fakt, vjen e dyta në renditje, me distancë nga Turqia. Shifrat më të fundit nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se pothuajse tre persona paditen çdo ditë në Turqi për arsye se kanë ofenduar Presidentin Erdogan.
Reporterët pa kufij (RSF) me bazë në Paris e kanë renditur Turqinë në vendin e 157-të nga 180 vende, në indeksin e fundit botëror të lirisë së shtypit. Turqia është më keq se Uganda, Ruanda dhe Kongo në këtë listë. Shqipëria dhe Kosova vlerësohen në vendin e 75-të dhe të 78-të sipas të njëjtit indeks.
Ndonëse kolegët e mi janë akuzuar se janë pjesë e një organizate terroriste të armatosur, prokuroria nuk ka qenë asnjëherë në gjendje të paraqesë ndonjë provë ku të mbështeste pretendimet. Nuk u gjet asnjë armë, nuk u zbulua kurrfarë propagande për terror, as nxitje për për rebelim të armatosur apo ndonjë komunikim që lidh gazetarët me celula terroriste.
Mbi të gjitha, aktakuzat rezultuan një farsë, e denjë për raste studimi. Armatimi i vetëm që prokuroria gjeti ishin artikujt, lajmet dhe një reklamë televizive që u transmetua gati 9 muaj përpara përpjekjes së grushtit të shtetit të korrikut 2016.
Në fakt, prokurori ishte i vetëdijshëm se nuk kishte kurrfarë krimi, por ai duhej të shpikte një. Në aktakuzë ai tha: ‘Edhe në artikujt e tyre, që duket se nuk kanë veprimtari kriminale, ata (kolumnistët ZAMAN) kanë shkelur të drejtat e burrështetasve dhe autoriteteve qeveritare …’. Prof. Shahin Alpaj, i cili u dënua me 8 vjet e 9 muaj burg në javën e kaluar u akuzua për ‘agjitacion e propagandë’.“Krimi i tij i vetëm ishin artikujt kritikë që ai shkruante si kolumnist. Shpikja më e mahnitshme nga prokuroria ishte akuza që e përditshmja ZAMAN dinte për grushtin e mallkuar të 15 korrikut, 9 muaj e 10 ditë para se të ndodhte. Prova ishte reklama televizive që ZAMAN kishte transmetuar në tetor në disa kanale televizive. Vështirë të besosh, por e vërtetë, aktakuza thosh: “Në mediat dhe faqet e internetit të organizatës, një reklamë ishte transmetuar në 5 tetor për gazetën ZAMAN. Pas një imazhi ajror të një qendre të qytetit ku dëgjojmë sirenat, një fëmijë po buzëqesh në ekrane. Ne vlerësojmë se kjo reklamë në fakt po paralajmëronte grushtin e afërt të shtetit… . Menjëherë pas 9 muajsh dhe 10 ditësh nga lançimi i reklamës televizive me sirena e imazhin e një qyteti të shkatërruar së bashku me profilet e fëmijës së qeshur, u bë grushti i shtetit. Kjo nuk mund të jetë thjesht rastësi.”
Presidenti Erdoan po ndërmerr një spastrim të pashembullt dhe një gjueti shtrigash të rrallë në historinë turke kundër lëvizjes Gylen, Hizmet, që ai pretendon se ishte pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti. Obsesioni i tij rreth lëvizjes nuk kufizohet me Turqinë. Kur 6 shtetas turq u rrëmbyen në mënyrë të paligjshme në Kosovë dhe u deportuan me nxitim në Turqi në fund të marsit, shumë prej nesh u tronditëm kur pamë se si një vend aspirues për BE mund të jetë vullnetarisht pjesë e një komploti të tillë të turpshëm.
Menjëherë pas fitores elektorale të Erdoganit më 24 qershor, tre gazeta dhe një stacion televiziv u ndaluan. Sikur shumë gazetarë të ZAMAN-it të mos ishin në burg, babai i pronarit të fundit të ZAMAN-it, Xhelal Afshar u arrestua. Z. Afshar është 86 vjeç dhe me probleme të rënda shëndetësore.
Gazetaria do të vijojë të jetë një nga profesionet më të rrezikshme në Turqi nën regjimin e Erdoganit. Ne shpresojmë shumë që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni do të kenë Bashkimin Europian si një model, e jo regjimin gjithnjë e më autoritar të Erdoganit.
*Autori është ish-reporteri i gazetës ZAMAN në Bruksel. Shkrim i derguar për Lapsi.al.