LDK, 5 ditë afat Vetëvendosjes për marrëveshjen qeverisëse

Nga Exit News
LDK, 5 ditë afat Vetëvendosjes për marrëveshjen qeverisëse

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i dha Lëvizjes Vetëvendosje fundjavën si afat përfundimtar për marrëveshjen qeverisëse.

Pas mbledhjes së kryesisë që LDK mbajti pasditen e sotme, kryetari Mustafa, tha se Albin Kurti ka kohë deri në fund të javës për ta pranojë marrëveshjen ose shpalljen për mosarritjen e saj.

Kryetari i LDK-së u shpreh se qeveria e Kosovës duhet të jetë e balancuar siç dhe i kanë besuar qytetarët votën e tyre më 6 tetor 2019.

“Ne mbetemi të përkushtuar për marrëveshje, por për një marrëveshje që respekton vullnetin e qytetarëve të zgjedhjeve të tetorit […] Mendojmë që marrëveshja duhet të ketë një qeveri të balancuar në harmoni që qytetarët na kanë dhënë besimin me anë të votës, neve 28 deputetë dhe Vetëvendosjes 29 deputetë. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë e ta arrijmë marrëveshjen deri në fund të kësaj jave, ose të konkludojmë që nuk ka kushte për marrëveshje”.

Të hënën Presidenti Hashim Thaçi mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për formimin e qeverisë. Ai ka edhe 2 javë kohë për të siguruar numrat e nevojshëm për votëbesimin në parlament.

Parlamenti i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë. Koalicioni me LDK-në është parë si zgjedhje kryesore nga Vetëvendosje që përpara votimeve të 6 tetorit 2019.

Nga partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës fitoi 24 deputetë, koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social-Demokrate 13 deputetë, Lista Serbe 10 deputetë, koalicioni mes Nisma, AKR dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë dhe 10 deputetë të tjerë morën partitë e vogla minoritare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>