LDK drejt formimit të qeverisë së re të Kosovës, siguron 64 vota

Nga Exit News
LDK drejt formimit të qeverisë së re të Kosovës, siguron 64 vota

Lidhja Demokratike e Kosvës ka siguruar 64 deputetë nga 120 për të formuar qeverinë e re dhe së shpejti pritet të kërkojë seancën e jashtëzakonshme parlamentare.

Kreu i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi deklaroi më 28 prill se më 29 dhe 30 prill do të nënshkruhet marrëveshjet me partitë e tjera të koalicionit dhe më pas do të njoftojnë presidentin për formimin e qeverisë së re.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, Gashi u shpreh:

“64 vota i kemi. Po presim që me formalizim e koalicionit, që do të bëhet shumë shpejt, besoj që brenda ditës ose nesër të procedojmë me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë. Akoma nuk e kemi marrë po besoj që sapo t’i kryejmë çështjet që kanë të bëjnë me formimin e koalicioneve, do ta njoftojmë presidentin.”

Në mbledhjen e LDK-së ka munguar Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit dhe një prej zërave kundër LDK-së për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Koalicioni i LDK-së me shumë gjasa do të jetë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe pakicat.

Më 23 prill, LDK propozoi Avdullah Hotin si të mandatuarin e saj për të propozuar qeverinë e re të Kosovës.

Avdullah Hoti ishte zëvendëskryeministër në qeverinë Kurti. Ai u shkarkua nga Kurti mënjëherë pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars.

Avdullah Hoti ka qenë ministër i Financave nga viti 2014 deri në vitin 2017.

Në zgjedhjet e qershorit 2017, Hoti ishte propozimi i LDK-së për kryeministër. Në këto zgjedhje LDK, në koalicion me AKR-në, u rendit e treta, duke humbur dhe 5 vende në parlament, krahasuar me legjislaturën e mëparshme.

Me propozimin e Hotit, LDK ka anashkaluar Vjosa Osmanin, kryetaren e Kuvendit. Osmani ishte propozimi i LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e tetorit 2019. LDK-ja, me Osmanin si figurën kryesore u rendit e partia e dytë në këto zgjedhje me diferëncë shumë të vogël me Lëvizjen Vetëvendsje – LVV fitoi 26,2 për qind të votave, ndërsa LDK 24,5 për qind.

Po ashtu, Osmani ishte deputetja më e votuar mes gjithë kandidatëve të të gjitha partive, me më shumë se 64 mijë vota. Deputetja e dytë më e votuar kishte rreth 32 mijë vota.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>