“Preferoj të kem moralisht të drejtë më shumë sesa të jem politikisht korrekt. Interesi i popullit është alibia më e fortë e të gjithë spekulantëve”.
Kjo thënie e Albert Kamy m’u kujtua mbrëmë pasi mora vesh rezultatin e votimit online të Kryesisë së LDK-së. Vjosa Osmani mund të kishte zgjedhur të ishte “politikisht korrekte” duke i shkuar pas valles Isa Mustafës e kompani dhe sot të ishte një version “dritonselmanaj” i LDK-së.
Pra një njeri që mendon se anëtari apo funksionari i LDK-së nuk duhet ta pyesë veten “Ku jam unë” në parti. Selmanaj e quan egoizëm e protagonizëm jo të shëndetshëm këtë ambicie njerëzore. Në një intervistë televizive pak përpara se të votohej Qeveria e LDK-së, Driton Selmanaj deklaronte shprehimisht:
“Vetëm aty, brenda LDK-së mishnohen vlerat, elektorati i LDK-së më don mua sa jam pjesë e LDK-së. Unë jam i vlefshëm në politikë vetëm nëse jam pjesë e LDK-së, aty jam i plotë. Nëse dal prej LDK-së nuk jam i plotë”.
Të krijohej ideja që elektorati i LDK-së nuk janë qenie njerëzore me mend në kokë por robotë me password “LDK”…
Menjëherë pas këtij deklarim nënshtrimi ndaj Partisë u emërua zëvendëskryeministër. Brodhi çdo ditë studiove televizive për ta bërë sa më publik mungesën e individualitetit duke ia dorëzuar atë partisë, aq sa më kujtoi një personazh kinez në romanin e Kadaresë, që, në kohën e revolucionit kulturor hodhi propozimin “origjinal” të shkrimit të romaneve pa autorë!
Autori mjafton të shkruhej “Përfaqësues i shkrimtarëve të Shkodrës, Korçës apo Elbasanit” .
Me fjalë të tjera, të kishim ministra pa emra, por vetëm LDK-ista, AAK-ista etj…
Nëse e vazhdojmë logjikën e Selmanajt, pse atëherë LDK-ja zgjodhi të përfaqësohej me zonjën Osmani si kandidate për Kryeministre? Ajo kishte konfirmuar në vite që flet në emër të vet më shumë sesa të Partisë. Mund të zgjidhnin Selmanajn ose Dullën, dy personazhe që publikisht i sakrifikojnë egot personale në emër të Partisë. A mos gaboi Isa Mustafa në kandidimin e Vjosës?
Sigurisht që jo, Mustafa është një njohës i mirë i individualitetit të spikatur dhe rëndësisë së tij në organikën e Partisë. Vjosa ishte e duhura, ajo sjell votat e të moderuarve, krijon një ide të re për partinë, gjasme anti -PDK, është maskim i mirë.
Isa Mustafa kishte provuar ta zhdukte Osmanin para tre vjetësh duke e degdisur nr. 81 (numri i deputetëve potencialë të LDK lëviz mes 25 dhe 30).
Dhe çfarë ndodhi? Vjosa solli 65 mijë vota në hambarin e LDK-së duke e shpëtuar nga diskreditimi i plotë. Nëse Vjosa Osmani nuk do ishte fare në listat e LDK-së, atëherë, 65 mijë votuesit e saj nuk do të shkonin për LDK-në e shfrytëzuar, shtrydhur dhe hedhur në kosh nga Hashim Thaçi. Qenia e saj në lista, qoftë edhe si nr. 81, dhe votat e Behgjet Pacollit dhe Mimoza Kusarit e shpëtuan njëfarësoj atë kohë Isa Mustafën.
Këtë radhë Isa Mustafa u tregua më dinak. Ai mori maksimumin e votave që kishte marrë ndonjëherë LDK-ja pas vitit 2004 dhe, menjëherë pas daljes së rezultatit e spostoi në qoshe Vjosën. Kaq ishte detyra e saj. Ajo u trajtua si humbëse. Vjosa Osmani humbi si rezultat i propagandës së Vetvendosje! sipas së cilës: “Votat i mbledh Vjosa por vendimet i merr treshja e divanit”. Që në fund të fundit rezultoi krejt e vërtetë.
Në gjithë ecurinë politike të ngjarjeve qysh nga 3 Shkurti e këndej, dua të ndalem vetëm në seancën e konstituimit të Qeverisë Hoti. Gjithë farsa e Isa Mustafës dhe Kryesisë së LDK-së bie aty në sy më mirë se kudo.
Fjalimi 1 minutësh i deputetit Haxhi Shala duhej të ishte një bombë për deputetët e LDK-së. Fjala vjen për udhëheqësin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ndonjë tjetër që ka retorikë anti-Thaçi. Shala deklaroi që ai do e votonte këtë Qeveri sepse Presidenti Thaçi “erdhi në mesnatë dhe ma kërkoi këtë votë për llogari të LDK-së”.
Fjalia e Haxhi Shalës ishte qershia në tortën e rikurorëzimit të Hashim Thaçit si epiqendra e politikës së Kosovës. Ajo fjali ishte një provokim i hapur ndaj dinjitetit të deputetëve të LDK-së, ishte një ironi me votat e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Në daçi merreni në daçi lëreni por kjo Qeveri është e imja…
Kaluan minuta të vështira (kështu i mendoj) nga momenti kur Shala i tha ato fjalë e deri sa filloi votimi. Në mendje më vinte deputetja Marigona Geci, e bija e Gani Gecit, e cila kishte deklaruar votën e saj kundër për çdo Qeverie ku ka dorë Hashim Thaçi. Çfarë po mendonte Marigona ato momente? A e kuptoi që kjo Qeveri është e Hashim Thaçit?
Ekzistonte një mundësi e vogël që deputetët e LDK-së të hiqnin dorë nga votëbesimi në shenjë mospajtimi me një Qeveri të Presidentit. Por ishte një iluzion, deputetët ulën kokat dhe bënë sikur nuk dëgjuan atë që dëgjoi gjithë shqiptaria…
Sot Isa Mustafa e ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga të gjitha funksionet drejtuese duke e zëvendësuar me kanakarët e tij Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj. Ky është vendim i mirëkuptueshëm. Vjosa Osmani nuk zgjodhi të ishte një deputete “politikisht korrekte” siç thotë Kamyja por një deputete “moralisht e drejtë”.
Ajo mund të ishte dakort të votonte një Qeveri të Avdullah Hotit por jo edhe të aleatëve të korruptuar, sepse ashtu kishte deklaruar para popullit në fushatë. Aleatët e Isa Mustafës ishin dy nga më të njohurit publikë për korrupsion. Vjosa Osmani ishte deklaruar publikisht për ndryshimin dhe jo për statuskuonë. Dhe sidomos ajo nuk mund të votonte një Qeveri për të cilën Hashim Thaçi mobilizohet personalisht për t’u votëbesuar.
Vjosa tashmë nuk mundet të jetë një anëtare e LDK-së e cila mundet të renditet në numrin 95 dhe rregullon bilancin e votave të Isa Mustafës. Ajo duhet të marrë fatin e saj në dorë. Krijimi i një Partie të re është i pashmangshëm. Unë besoj se ka akoma njerëz që votojnë për moralin në politikë. Shpresoj shumë që Partia e saj do ta kalojë pragun e vetme dhe askush nuk do ia trafikojë votat më.
Isa Mustafa do jetë më i fituar. Në Partinë e tij do të ketë vetëm “dritonselmanaj” që nuk pyesin veten “Ku jam unë”. Me ta ai udhëton i qetë drejt tkurrjes së Partisë në nivele15-20%. Aq i duhen për të dalë i tretë apo i katërt. Koha ka treguar që shpesh, me negociata, i treti apo katërti kap Kryeministrin. Me negociata dhe sjellje “politikisht korrekte” arriti të shndërrojë humbësit në fitues. Nganjëherë të dalësh i pari është telash. Ai është mësuar të jetë gjithmonë në sqetullën e dikujt tjetër, më së shumti nën atë të Hashim Thaçit.