Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të vendosë të enjten për emrin që do t’i propozojë Presidentit Thaçi për t’i mandatuar qeverinë e re.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh pasditen e së mërkurës se kryesia do të vendosë nesër rreth mandatarit të qeverisë, e cila pritet të përbëhet nga një koalicion i LDK-së me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe pakicat.
Mustafa iu shmang pyetjeve direkte nëse do të ishte ai emri që LDK do të propozojë duke këmbëngulur se vendimi do të jetë i kryesisë.
Deklarata vjen pak orë pasi Presidenti Thaçi mblodhi në një tryezë opinionet e të gjitha partive rreth situatës politike.
Pasi të gjitha u shprehën kundër zgjedhjeve të parakohshme, Thaçi deklaroi se do t’ia japë mandatin e qeverisë grupit që siguron shumicën në parlament.
Lëvizja Vetëvendosje e ka deklaruar këtë zhvillim politik si antikushtetues dhe ka paralajmëruar se cilidoqoftë vendimi i ardhshëm i Presidentit, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Thaçi e ka justifikuar takimin pas 5 letrave pa përgjigjie dërguar Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, të cilit i është kërkuar, si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, propozimi i një emri për t’i mandatuar krijimin e qeverisë së re.
Duke e konsideruar refuzim, Presidenti ka lënë të kuptohet se pret një propozim nga partia e dytë me më shumë deputetë në parlament, LDK-ja.