
Propozimi i opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit zgjedhor merr përsëri numrin minimal të firmave të deputetëve që duhen për t’u shqyrtuar në Kuvend.
Lefter Koka është deputeti i 28-të që firmos draftin për ndryshimin e Kushtetutës. Ky është numri minimal i firmëtarëve që Rregullorja e Kuvendit kërkon për propozimet që sjellin ndryshimin e Kushtetutës.
Në 12 qershor, 29 deputetë të opozitës parlamentare dorëzuan në Kuvend draftin.
Dy prej tyre, Artur Roshi dhe Besnik Toptani, u tërhoqën vetëm 48 orë më vonë. Kjo rrezikoi që propozimi të mos merrej parasysh nga Kuvendi, për mungesë të firmave të nevojshme sipas nenit 77/a të Rregullores së Kuvendit.
Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Lefter Koka ‘shpëtoi’ propozimin e opozitës parlamentare që kërkon garimin e kandidatëve për deputet me lista të hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.