Leja e stadiumit me kullë 24 katëshe zbulon klientelizmin dhe paligjshmërinë e tij

Leja e stadiumit me kullë 24 katëshe zbulon klientelizmin dhe paligjshmërinë e tij

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar para një muaji lejen Zhvillimore për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, të ashtuquajtur Arena e Kombëtares, e cila është bërë publike së fundmi në faqen e Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Leja zhvillimore, e cila i paraprin lejes ndërtimore, ka parashikuar ndërtimin e stadiumit të ri, i cili do të ketë vetëm një kat nëntokësor, do të ketë lartësinë e një ndërtese 7 katëshe dhe do të ketë një kullë të lartë 24 kate.

E gjithë sipërfaqja e ndërtimit të stadiumit do të jetë pak më shumë se 90 mijë metra katrore, nga të cilat 69 mijë mbi tokë. Sikurse është bërë e ditur nga Arben Dervishi, përfaqësues i FSHF-së në Opinion më datë 26 prill, FSHF do të përfitojë vetëm rreth 12 mijë metra katore. Kjo do të thotë që kompania private, e cila do të ndërtojë stadiumin do të përfitojë gati 57 mijë metra katrore.

Screen Shot 2016-05-28 at 13.58.06

Leja ndërtimore zbulon një fakt të pa njohur në publik: projektues i stadiumit, së bashku me firmën italiane Archea Achitecti, është studioja shqiptare Atelier 4, e cila në fakt ka firmosur edhe dokumentat si projektuese e stadiumit.

Atelier 4 është një studio e shumëpërfolur për lidhje klienteliste me Zotin Rama që nga koha kur ky ishte kryebashkiak i Tiranës. Në media, veçanërisht nga opozita, Atelier 4 dhe pronari i saj Alban Eftimiu janë komentuar e akuzuar shpesh si pjesë e një skeme klienteliste korruptive të ngritur nga Zoti Rama me lejet e ndërtimit në Tiranë.

Pas zgjedhjes kryeministër të Zotit Rama, Atelier 4 është bërë përfituesi kryesor i të gjitha tenderave të qeverisë në fushën e planifikimit urban në vend. Sipas një llogaritje të përafërt, gjatë dy viteve të fundit Atelier 4 ka përfituar kontrata, vetë apo në bashkëpunim me të tjerë, me vlerë të paktën 2 milionë euro. Ndër të tjera, Atelier 4 është bashkëprojektuesja e këndit të shumë përfolur të lojrave në Parkun e Liqenit.

Nga ana tjetër, leja zhvillimore duket se është dhënë në shkelje të ligjit dhe procedurave. Rregullat e miratuara nga vetë qeveria kërkojnë që për të marrë leje zhvillimore kërkuesi duhet të paraqesë projektin e plotë arkitektonik për të gjitha nivelet e strukturës, së bashku me relacionin shjegues ku përshkruhen edhe rifiniturat.

Por leja për stadiumin është dhënë pa patur një projekt të tillë, por bazuar vetëm mbi rendera të gjeneruar nga programe kompjuterike. Madje, në kohën që është dhënë leja, vetë arkitekti kryesor (të paktën në emër) Marco Casamonti pranoi publikisht se vizatimet dhe llogaritjet teknike të stadiumit do të zhvillohen në të ardhmen dhe ajo që ai kishte paraqitur ishte thjesht projekt-ideja.

Formula e zhvillimit të projektit, e paprecedentë në botë dhe krejtësisht jo transparente; investimi total personal i Kryeministrit Rama në të, duke marrë përsipër jo vetëm dhënien e të gjitha lejeve dhe vendimeve të nevojshme qeveritare, por edhe mbrojtjen publike të projektit; dizenjimi i projektit nga arkitektët më të afërt të Zotit Rama në dekadat e fundit, edhe pse teorikisht projekti është bërë nga një kompani private; dhe shkeljet e procedurave dhe ligjeve për miratimin e tij, janë tregues që nuk mund të mos ngrejnë dyshime serioze për për klientelizëm dhe përfitime korruptive të Kryeministrti Rama nga ky projekt.

 

Artikuj të lidhur:

Si u privatizua de facto Stadiumi Qemal Stafa – Exit Shpjegon

10 pyetje në lidhje me stadiumin e ri kombëtar

Stadiumi i ri kombëtar — një histori e dyshimtë e përvetësimit të pronës publike

Çfarë dimë për projektin e stadiumit të ri Arena Kombëtare – Exit Shpjegon

Grabitja e stadiumit Qemal Stafa: krimi në mes të Tiranës për të cilin nuk flet askush

Stadiumi i ri Qemal Stafa – stadium për publikun apo skemë kriminale grabitjeje?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>