Kuvendi ka reaguar pas protestës së gazetarëve për vendimin e Kryesisë për të lënë median jashtë mbledhjeve të komisioneve.
Në një përgjigje zyrtare, Kuvendi shprehet se vendimi i kryesisë nuk ka për qëllim të censurojë median por ai vjen pas vënies në punë të sistemit të ri audio-video për pasqyrimin e punës së komisioneve.
Kryesia e Kuvendit vendosi që punonjësit e medias të mos jenë më të pranishëm në mbledhjet e komisioneve parlamentare por t’i ndjekin ato nga një dhomë e veçantë përmes një sistemi audio-video.
Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, sipas Kuvendit. Ndërtimi i sistemit filloi në janar 2018 dhe përfundoi në korrik 2019. Në qershor 2020 sistemi u certifikua nga misioni i auditit të BE-së.
Kuvendi thotë se nuk po instalon asnjë regji qendrore dhe se gazetarët nga dhoma e medias komandojnë se çfarë duan të ndjekin dhe përzgjedhin çdo pamje apo detaj që dëshirojnë të transmetojnë.
“Televizionet marrin njëkohësisht disa sinjale për të njëjtin komision: sinjalin e pamjes së përgjithshme të sallës, sinjalin audio të mikrofonit aktiv dhe ambiental, si edhe sinjalin që fokuson folësin aktiv me sinjal audio-video”, thuhet në reagimin e Kuvendit.
Në përgjigjen e Kuvendit thuhet se media është informuar që nga fillimi i prezantimit të këtij projekti dhe deri më sot.