Aktori i njohur i Hollywood-it, Leonardo DiCaprio, iu bashkua sot fushatës së mjedisorëve shqiptarë për të mbrojtur lumin e Vjosës nga digat e projekteve të shumta energjitike.
DiCaprio, i cili drejton prej kohësh një fondacion advokues për mbrojtjen e natyrës, postoi sot në Instagramin e tij një video të lumit Vjosa realizuar nga Felipe Dana nga Associated Press.
Videon ai e shoqëroi me nënshkrimin:
Ky është lumi i fundit i egër në Evropë. Por për sa kohë? Lumi Vjosa përshkon shpatet e mbuluara me pyje të maleve Pindi të Greqisë deri në brigjet e Adriatikut të Shqipërisë.
Qeveria e Shqipërisë ka vendosur në lëvizje planet për të ngritur digë në Vjosë për të gjeneruar energji elektrike të nevojshme për një nga vendet më të varfëra të Evropës, me tetë diga të planifikuara për ndërtim përgjatë lumit.
Është pjesë e “bum”-eve të hidrocentraleve botërore […] disa studime të fundit vënë në dyshim vlerën e hidrocentraleve në luftën kundër ngrohjes globale. Kritikët thonë se përfitimet e hidrocentralit janë të mbivlerësuara – dhe theksojnë dëmet që digat mund të sjellin.
Digat bllokojnë rrjedhën natyrale të ujit dhe sedimenteve. Ato gjithashtu mund të ndryshojnë kiminë e ujit dhe të bëjnë që algat toksike të rriten. Lumenjtë janë një pjesë thelbësore e ciklit global të ujit. Ato veprojnë si arteriet e natyrës, duke mbajtur energji dhe lëndë ushqyese nëpër peizazhe të gjera, duke siguruar ujë për pije, prodhim ushqimi dhe industri.
DiCaprio, fitues i çmimit Oscar, bëhet kështu zëri më i njohur ndërkombëtar që del në mbrojtje të Vjosës. Me më shumë se 37 milionë ndjekës në rrjetet sociale, ky postim i tij u prit mjaft mirë nga mjedisorët shqiptarë.
Prej vitesh në Shqipëri ka pasur protesta kundër vendimeve të qeverisë për të ndërtuar hidrocentrale në lumenj si Vjosa, apo Valbona.
Vëzhgimet shkencore kanë pikasur në luginat e Vjosës rreth 177 specie që rrezikohen nga ndërtimet e hidrocentraleve. Në rrjedhën e lumit parashikohen të ndërtohen 8 hidrocentrale, ndërsa në përrenjtë që e furnizojnë atë 34 të tjerë.
Mjedisorët kanë propozuar prej kohësh kthimin e Vjosës në park kombëtar, ndërsa për promovimin e vlerave të rralla natyrore të saj janë zhvilluar edhe ekspozita fotografike.