Letër e hapur Bjarke Ingelsit për projektin e Teatrit Kombëtar

Gjergj Bakallbashi, një arkitekt shqiptaro-amerikan i shkruan Bjarke Ingels të tërhiqet nga nga projekti pa konkurs për Teatrin Kombëtar në Tiranë

Nga Gjergj Bakallbashi
Letër e hapur Bjarke Ingelsit për projektin e Teatrit Kombëtar

I dashur Bjarke,

Në mediat sociale lexova se periudhën e karantinimit po e kaloje në Meksikë, dhe gjatë kësaj periudhe punove për një Plan Urbanistik për Planetin.

Është frymëzuese të lexosh që dikush, një arkitekt i rangut botëror, i dedikohet të menduarit se çfarë ndikimi do të ketë pas 150-200 vjetësh ajo që bëjmë tani.

Ndërsa vendet e ndryshme fillojnë të dalin nga mbyllja ndaj virusit, të kthyerit në normalitet duket të jetë shqetësimi kryesor i qeverive dhe njerëzve.

Në Tiranë, qyteti ku u takuam për herë të parë kur fitove konkursin për Xhaminë e Madhe të Tiranës dhe unë po punoja për qytetin, të kthyerit në normalitet nuk është e lehtë. Vendimi i debatueshëm për të prishur ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe për ta zëvendësuar me një të re, të projektuar nga ti, Bjarke Ingels, ka ngritur në këmbë mediat, politikanët, njerëzit, aktorët dhe disa ambasadorë.

Gjasat janë që kur italianët e ndërtuan atë objekt, ata nuk kishin në mendje 150-200 vitet e ardhshme. Në fund të fundit, sa objekte të ndërtuara gjatë Luftes së Dytë Botërore u bënë me të ardhmen e tyre 150-200 vjeçare në mendje, sidomos në një vend si Shqipëria?

Strukturat e ngritura si jo afatgjata në vende të tilla, fitojnë rëndësi historike sepse nuk kishte shumë të tjera si ato ndërtuara në atë kohë dhe, për më tepër, prej memorjes historike që ato kanë prodhuar e akumuluar.

Patjetër që ti i di këto. Çfarë mund të të ketë shpëtuar është mungesa e një procesi transparent publik për të ardhmen e atij objekti. Nuk u bë konkurs, nuk pati diskutime mbi alternativa reale. Studios suaj iu kërkua të hidhnit një koncept të bazuar mbi premisën se teatri i tanishëm duhet prishur.

Sërish po i mëshoj faktit që konkurs për projektin e Teatrit Kombëtar në Tiranë nuk ka pasur. Dhe është e vështirë të gjejmë në një kryeqytet të BE-së, apo kryeqyteteve që aspirojnë për në BE, ku një projekt i tillë do të zhvillohej pa konkurs ndërkombëtar, debate publike dhe reflektime të hapura.

Si një përfaqësues i Danimarkës dhe vlerave të saj europiane, ti nuk mund të harrosh rolin që ti luan, jo vetëm si një arkitekt që ofron shërbimet e kërkuara nga klienti, por edhe si kampion vlerash, të denja për dikë që mendon të shpëtojë planetin.

Sepse të shpëtuarit e planetit nuk është një përpjekje që mund të bëhet vetëm. çdo plan ambicioz kërkon mbështetje, jo vetëm nga politikanët, por edhe nga ata që mendojnë njëlloj – në rastin tënd, arkitektët.

Në Tiranë, projekti yt ka dekurajuar dhe demotivuar shumë arkitektë. Jo për arkitekturën e tij. Ajo është temë më vete. Por për faktin se në një kryeqytet europian gjërat mund të bëhen në një mënyrë autokratike, në një proces manipulativ, dhe ti pranon të jesh pjesë e këtij procesi.

Projekti yt nuk ngjall optimizmin që ti do të shpresoje, por me pesimizmin që çon në rrënjën e besimit tek konkurset publike.

Duke zgjedhur të terhiqesh nga ky projekt dhe të rihysh vetëm atëherë kur të jetë shpallur konkursi, do të kontribuoje shumë më tepër te besimi që njerëzit kanë në të adhmen e Tiranës sesa ç’do të kontribuojë arkitektura e teatrit tek të bërit e Tiranës një pjesëz më të mirë të këtij planeti.

Do t’i bëje të rifitonin sërish besimin te mundësia e të pasurit vlera europiane në Tiranë, jo vetë te të pasurit objekte në dukje europiane. Se këto vlera nuk janë të mundshme vetëm ne vendet e BE-së, jashtë Tiranës. Se Tirana mund të jetë një zgjatim, një degëz e BE-së.

Ne arkitektët në Tiranë brohoritëm kur ti fitove konkursin për Xhaminë e Madhe të Tiranës. Na erdhi keq qe nuk u finalizua. Jepna mundësinë të jemi sërish shpresëplotë se konkurset dhe debati i hapur që ato sjellin kanë sërish vend në Tiranë..

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>