Përsëri, me koherencën logjike që gjithmonë dallon mendimet tuaja, në artikullin tuaj “Si e mbështes protestën?” keni hedhur në letër, në mënyrë të qartë dhe të lexueshme mendimin tuaj dhe, besoj, të shumë shqiptarëve të tjerë.
Shumë qytetarë e shohin protestën të tërhequr, vijnë rreth e rrotull “anijes” pa hipur në të dhe pa e shtyrë atë, qoftë se kanë pikëpamje të ndryshme për gjendjen aktuale të Shqipërisë, qoftë se kanë frikë se mos përdoren.
Por shumë nga ata që janë duke e ndjekur fshehurazi protestën po shpresojnë që dikush tjetër ta bëjë “punën” edhe për ta; që të dalë dikush tjetër e të marrë përgjegjësinë për t’i dhënë fund këtij kaosi social, ekonomik e politik që ka kompromentuar në mënyrë pothuajse të përherhsme shpresat e të gjithëve për të jetuar dhe ecur përpara në këtë vend; që të ketë të tjerë që t’i bashkohen protestës për të çliruar bllokimin e tanishëm politik, për të marrë situatën në favor të një përtëritje të vërtetë, për të ndërtuar “republikën e dytë”.
Nëse të gjithë rrinë e shohin protestën, fitojnë vetëm ata që spekullojnë me inercinë sociale shqiptare, me frikën e të shfaqurit publikisht, me pasivitetin paqësor të popullit shqiptar dhe më pas të gjithë së bashku do të ankohemi për rezultatin e munguar, për rastin e munguar dhe të dëshpëruar do të përsërisim me vete projektet tona të fshehta për të emigruar.
Edhe një herë, politika në Shqipëri do të ishte “fusha e betejës” e rezervuar ekskluzivisht për trimat, arrogantët, prepotentët dhe në fund, për ata që jetojnë sikur të mos kishin asgjë për të humbur dhe jo e atyre që janë më shumë të kompletuar, civilë, të kujdesshëm dhe racionale, por të paaftë për të marrë rreziqe. Këta të fundit do të kthehen në rolin e tyre të zakonshme të “shpirtrave të bukur”, të viktimave të përjetshme, të nënshtruarve që nuk kanë marrë akoma statusin “qytetarë”.
Më thuaj, pra, Fatos, të gjithë këta të nënshtruar që janë të paaftë për t’u shndëruar në “qytetarë”, çfarë kanë për të humbur? Dhe sipas jush, çfarë ju mungon në “shpirtrat e bukur” për të shprehur me zë të lartë kundërshtimin e tyre, ose më mirë çfarë ju nevojitet “shpirtrave të bukur” që të jenë në gjendje për kompromis, dhe të marrin pjesë në ndërtimin e një sistemi politik të paktën të pranueshëm?
Kam dëgjuar (dhe lexuar) shumë herë Lulzim Bashën, tani për tani i vetmi të cilit mund t’i atribuojmë udhëheqjen e protestës, duke deklaruar se partia e “tij”, ka reflektuar, dhe njeh gabimet që kanë bërë në të kaluarën dhe se këto gabime kanë ndihmuar dhe kanë sjellë vendin në gjendjen e mjerueshme të sotme.
Sipas parametrave të Perëndimit të krishterë, mëkatari duhet të pendohet që ka kryer mëkat, duhet të rrëfehet, dhe më pas duhet të kryejë dhe dënimin që i shkruan prifti rrëfyes dhe në këtë mënyrë mund të marrë të paktën faljen e Zotit.
Sipas ritualit komunist, falja e Perëndisë është e parëndësishme; kurse si pendimi dhe rrëfimi zëvendësohen me autokritikën para kolektivit.
Pra, nga dy metodat më të njohura në Evropë, në të dyja rastet, Lulzim Basha ka bërë tashmë atë që mund dhe duhet të bënte mirë—rrëfimin, pendimin dhe dënimin, ky i fundit i treguar nga mbështetja e ulët në zgjedhje.
Por tani Basha është i vetmi udhëheqës, që me ligjin aktual ka mundësi reale për t’u zgjedhur, që ka vendosur të përfaqësojë publikisht këto teza. Lënia vetëm në këtë detyrë do të thotë t’i dorëzohesh armikut.
Nëse këto tema janë receta e nevojshme dhe qëllimi final është teknikisht i arritshëm, atëhere efekti i mundshëm anësor (i bërjes së lojës së dikujt tjetri) nuk duhet të ketë shumë rëndësi. Edhe sepse, i dashur Fatos, nëse ky proces politik nis seriozisht, standardi i ri politik i të ardhmes do të tërhiqte shumë njerëz dhe do t’i jepte kështu përgjigjen më të mirë edhe frikërave tona të tanishme.