Imagjinoni një film për Hitlerin, i cili nuk merret fare me politikën dhe krimet e tij. Një film që flet për jetën private të diktatorit, për ndjenjat, mendimet, dobësitë e tij, marrëdhëniet me njerëzit, familjarët, dashurinë për fëmijët, respektin për punën, pasionet për lulet, artin, natyrën, dhembshurinë për kafshët, etj. Çfarë do të konsiderohej kjo përveç se propagandë?
Pikërisht këtë bën Isuf Kalo, në librin e tij “Blloku”. Ai përshkruan një elitë udhëheqëse tjetër nga ajo që përfytyrojmë të gjithë, apo, më saktë, ndryshe nga ajo që duhet të përfytyrojmë.
Me pretendimin se kemi nevojë të njohim edhe aspekte të tjera të njerëzve që udhëhoqën diktaturën, në mënyrë që ta plotësojmë më mirë tablonë e saj, Kalo merr përsipër të tregojë aspektet normale të jetës së tyre, larg përgjegjësive për krimet dhe tmerret që shkaktuan. Për rrjedhojë, ai i pikturon përbindëshat me pamje njerëzore, duke çliruar te publiku një reaksion empatie ndaj tyre.
Blloku i dashuriçkave dhe banalizimi i terrorit
Blloku i Kalos nuk është blloku i monstrave dhe katilëve, që vrisnin e prisnin, që rripnin, torturonin, burgosnin, syrgjynosnin, e terrorizonin njerëz, dhe as i atyre që varfëronin e shkatërronin vendin.
Blloku i Kalos paraqitet me një fytyrë normale, madje, në shumë aspekte ai është interesant e tundues. Kalo flet për gjërat më normale, që ekzistojnë në çdo shoqëri njerëzore dhe në çdo rreth shoqëror mbi glob: marrëdhëniet mes njerëzve, simpatitë, inatet, intrigat, mëritë, pasionet, dashuriçkat… gjëra këto që, në fakt, vetëm normalizojnë gjithçka të ligë që u prodhua atje.
I përshkruar në këtë mënyrë, Blloku bëhet jo vetëm njerëzor e normal, por edhe i lakmueshëm, pasi aty kanë jetuar jo vetëm njerëzit më të pushtetshëm të vendit, por edhe ata me mundësitë më të mëdha për të parë më shumë botë me sy, për të lexuar literaturë që nuk e lexonin dot të tjerëte, apo edhe për të ndjekur muzikë e filma të huaj, të ndaluar për publikun e gjerë. Të jetoje atje trajtohet si një fat, dhe autori nuk e fsheh që ndihet i privilegjuar për faktin që ka shërbyer aty.
Kjo sigurisht që nuk mund të jetë normale. Nga çdo premisë e një logjike të shëndoshë, të pajisur me skrupujt më të natyrshëm të një qenieje morale, njeriu do të duhet të ndiente neveri ndaj krimit dhe kriminelëve, dhe nuk ka sesi të ketë dëshirë të shoqërohet me ta. Në mënyrë të vetvetishme, njeriu me vetëdije morale normale, do të refuzonte qoftë edhe t’i shtrëngonte dorën dikujt që duart i ka me gjak.
Autori nuk e reflekton askund një vetëdije të tillë, madje, përkundrazi, e konsideron privilegj që ka pasur mundësi të ishte pjesë e rretheve shoqërore të inkriminuara si familjet që kanë jetuar atje, dhe të shoqërohej me disa prej kasapëve më të mëdhenj të këtij vendi. Duket se ekspozimi i gjatë ndaj një mjedisi të degraduar moralisht, si ai ku zoti Kalo ka punuar, e ka imunizuar ndërgjegjen e tij nga skrupujt moralë nëpërmjet mekanizmash mbrojtës që normalizojnë të keqen.
Mjeku i kompleksuar i bllokut
Megjithatë, thellë-thellë zoti Kalo duket se e kupton edhe vetë se ka diçka që nuk shkon në lidhje me mosmbajtjen e një qëndrimi ndaj personazheve që përshkruan. Për këtë arsye, ai është munduar të justifikohet nëpërmjet etikës profesionale të mjekut, e cila kërkon të mos i gjykosh moralisht pacientët.
Me ftohtësi klinike, ai pretendon se është detyrë e tij si mjek të kufizohet në nivelin bio-kimik të konsideratës ndaj personazheve, që dikur kanë qenë pacientët e tij. Në të vërtetë, nuk janë pacientët, por publiku ai që trajtohet biologjikisht, si copë mishi, nga kjo mënyrë arsyetimi.
Qëllimisht ose jo, zoti Kalo po ngatërron urdhërin e Hipokratit me etikën publike, duke shfaqur paaftësi për të ndarë te vetja mjekun nga intelektuali. Debati publik nuk zhvillohet në klinikë dhe përgjegjësitë ndaj lexuesit nuk mund të shmangen duke u fshehur pas bluzës së bardhë. Në momentin që vendos të rrëfesh disa të vërteta, duhet të reflektosh disa parime më shumë se kodet formale të etikës profesionale spitalore.
Neutraliteti moral në trajtimin e personazheve historike mund të jetë i kuptueshëm në studimet shkencore midis historianëve, ndonëse ka mjaft autorë që e kanë denoncuar këtë. Megjithatë, neutraliteti nuk përdoret për të mbrojtur figurat historike nga gjykimi moral, por për hir të objektivitetit shkencor, i cili kërkon që studiuesi të shmangë përfshirjen e vet subjektive në çështjet që studion.
Por, siç e pohon edhe vetë, autori nuk është historian dhe libri i tij nuk është studim historik, por thjesht një dëshmi personale, si pjesëmarrës, ndonëse pasiv, në shumë prej ngjarjeve që rrëfen. Subjektiviteti është i vetëkuptueshëm për nga vetë natyra e rrëfimit dhe nuk ka përse të bëjë sikur e fsheh.
Në këtë mënyrë, neutraliteti etik këtu nuk ka asnjë vlerë, për shkak se ai nuk është në funksion të ndonjë qëllimi studimor. Përkundrazi, ai përdoret në këtë rast si alibi për të shmangur detyrimin moral të autorit, që të mbajë qëndrimet e duhura ndaj personazheve që trajton.
Fytyra tjetër e Enverit
Hezitimi për të gjykuar bëhet edhe më kokëfortë dhe, rrjedhimisht, edhe më indinjues, kur zoti Kalo flet për figurën e Enver Hoxhës, të cilit ai pohon se nuk mund ta gjykojë për shkak të marrëdhënieve reciproke që ka pasur me të, dhe të privilegjit që diktatori i ka dhënë si mjek, duke i besuar jetën e tij.
Kalo është duke pohuar kështu, me gojën e tij, se përballë besnikërisë në raportet personale me njerëzit ai sakrifikon besnikërinë ndaj publikut. Këtë nuk e ndryshon as fakti se Enveri ishte kasapi më i madh i popullit që përfaqëson ky publik.
Atëherë pyetja që shtrohet vetvetiu është: Përse shkruan zoti Kalo? Nëse nuk flet dot, për shkak të ngërçit të lidhjeve personale, mbaji të vërtetat e tua për në varr më mirë!
Por ai nuk preferon të heshtë dhe merr përsipër të flasë, duke u kufizuar në aspekte të tjera të karakterit të diktatorit. Ai na rrëfen për një Enver elegant, të sjellshëm, të kulturuar, trim, burrëror në sjellje, serioz me shtetin etj. Na rrëfen për marrëdhëniet e tij me rrethin familjar, duke na paraqitur një Enver të ndjeshëm dhe njerëzor, shumë larg poshtërsive dhe krimeve të tij.
Tabloja godet deri në detaje të tilla si përshkrimi i marrëdhënies dhe “miqësisë” së tij me Guxin, macen e shtëpisë, e vetmja që kishte kurajën të hynte serbes në dhomën e tij dhe të përgjumej plot endje pranë tij në “krevatin e diktatorit”, e madje të përfitonte edhe përkëdheljet e tij të herëpashershme.
Të përshkruash dorën që ledhaton macen, duke refuzuar të thuash se ajo dorë ka shtypur një popull e ka marrë jetë njerëzish të pafajshëm, përfshi edhe shokët e vet të afërt, është shumë më tepër se cinike.
Gossip nga VIP-at e diktaturës
Në tërësinë e tij, më shumë se rrëfen të vërteta, libri shfaq kujdesin e autorit për të joshur lexuesin me marifete gazetareske. Ai flet për mistere, flirte, thashetheme, historiçka rozë, për ngjarje që zgjojnë kureshtje, të cilat, më shumë sesa t’i zbardhë, autori kujdeset t’i ekspozojë sa më mirë dhe t’i përcjellë në mënyrë të estetizuar. Më shumë sesa një rrëfim memuaristik, ky ngjan si një kronikë gossip nga VIP-at e diktaturës.
Ashtu si edhe vetë gazetaria e këtij zhanri, libri nuk i shërben aspak zbardhjes së të vërtetave dhe njohjes së realitetit, por thjesht spektakolarizimit të informacionit, duke e zhveshur atë nga thelbi i vet. Në këtë mënyrë ai nuk informon, por vetëm argëton, duke pezulluar çdo lloj refleksioni.
Blloku bëhet kështu një dritare për sehir drejt së kaluarës së errët të diktaturës dhe aspak një projektor për të zbardhur realitetin e saj. Në fakt, ky duket të jetë edhe qëllimi, i vetëdijshëm apo jo, i autorit: Të zbusë indinjatën e publikut ndaj personazheve të tmerrshëm, që instaluan për një gjysëm shekulli një regjim terrori në këtë vend.