Drejtuesit e Bashkimit Europian kanë përshëndetur presidentin e ri të Amerikës Joe Biden dhe e kanë quajtur presidencën e re ‘një agim të ri’ për SHBA-të dhe BE-në.
“Ky agim i ri në Amerikë është momenti që kemi pritur”, u shpreh, të mërkurën, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Por ajo paralajmëroi se largimi i Trumpit nuk do të thotë se edhe mbështetësit e tij janë larguar:
“Kjo ndjenjë lehtësimi nuk duhet të na krijojë iluzione. Trumpi mund të harrohet në histori brenda pak orësh, por ndjekësit e tij mbeten.”
Ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, i cili kryeson samitet e BE në Bruksel, tha se përparësitë e administratës së re amerikane duhet të përfshijnë gjithashtu menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Michel theksoi se pas 4 vitesh probleme në marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-ve, tani mund të ndërtohet sërish marrëdhënie të shëndetshme:
“Sot është më shumë se një tranzicion. Sot është një mundësi për të rinovuar marrëdhënien tonë transatlantike, e cila ka vuajtur shumë në katër vitet e fundit.
Në ditën e parë të mandatit të tij, unë i drejtohem me një propozim solemn presidentit të ri. Le të ndërtojmë një pakt të ri mbështetës për një Evropë më të fortë, për një Amerikë më të fortë dhe për një botë më të mirë.”
Një ditë më parë, dhe Josep Borell, diplomati i lartë i BE-së i bëri thirrje presidentit të zgjedhur Joe Biden të marrë në dorën situatën, pas keqmenaxhimit që i bëri Trumpi pandemisë.