Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami duhet t’i hiqet mandati, ndërsa kryebashkiaku Elvis Rroshi duhet të shkarkohet nga detyra. Ato akuzohen se kanë fshehur të shkuarën e tyre kriminale në formularin e vetëdeklarimit, siç e parashikon ligji i dekriminalizimit.
Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë:
- Deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri rezulton i dënuar në Itali për veprën e falsifikim të parave dhe përdorimi i dokumentave të falsifikuara.
- Deputeti i LSI-së Shkëlqim Selami rezulton se ka qënë i dënuar me burg nga gjykata e Brindizit, në Itali.
- Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi rezulton i dënuar në Itali për veprën penal të përdhunimit në grup, për trafik droge dhe pastrim parash.
Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht Komisionin Qendror te Zgjedhjeve se tre zyrtarët e lartë duhet të shkarkohen nga funksionet publike sipas ligjit të dekriminalizimit.
Prokuroria ka nisur edhe hetimet për veprën penale të “Fallsifikimit të formularëve”.
Ndërkohë, prokuroria po vazhdon verifikimet edhe për zyrtarë të tjerë në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin”.