Ligji i dekriminalizimit, kush janë politikanët e prekur prej tij?

Ligji i dekriminalizimit, kush janë politikanët e prekur prej tij?

Një ditë më parë prokuroria i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit për dy deputetë, Aqif Rakipi (PDIU) dhe Gledion Rehovica (LSI).

Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, prokuroria kërkon heqjen e mandatit sepse dyshon se deputetët kanë fshehur të shkuarën e tyre kriminale në formularin e vetëdeklarimit.

Në rast se KQZ pranon kërkesën e prokurorisë, numri i politikanëve (deputetë e kryebashkiakë) të cilët janë prekur nga ligji i dekriminalizimit shkon në 7 deputetë e kryebashkiakë dhe 6 këshilltarëve bashkiakë.

Në shtator 2015, deputeti Arben Ndoka (PS) dha dorëheqjen, përpara se KQZ t’i hiqte mandatin, edhe pse për të kishte një hetim të hapur, për fshehje të një dënimi të marrë në Itali.

Në dhjetor 2016, KQZ i hoqi mandatin deputetëve Dashamir Tahiri (PDIU) dhe Shkëlqim Selami (LSI) dhe kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi (PS). Të tre kanë qenë të dënuar më parë për vepra penale në Itali.

Në shkurt 2017, prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për deputetin Armando Prenga (PS) për precedentë të mëparshëm penal. Prenga, pak ditë pas kërkesës, dha dorëheqjen duke mos lënë KQZ-në të vendosë për të.

Po në shkurt 2017, KQZ shpalli të pavlefshëm mandatet e 6 këshilltarëve bashkiakë që kishin probleme më të shkuarën.

Ndërkohë disa nga kërkesat e prokurorisë për heqjen e mandatit, KQZ nuk i ka miratuar. Për deputetët Tom Doshi (PS), Vladimir Kosta (PS), kryebashkiakët Tërmet Peçi (PS), Adriatik Zotkaj (PD) dhe ish-deputetin Spartak Braho (LSI) KQZ ka vendosur mosheqjen e mandatit.

Ligji i dekriminalizimit u miratua në dhjetor 2015,  me konsensus midis të gjitha forcave politike duke marrë 131 vota pro dhe asnjë kundër.

Ligji ndalon përfshirjen në pozicione politike dhe publike të individëve të dënuar për vepra penale.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>