Ligji i mediave, çfarë u pranua dhe çfarë u hodh poshtë

Nga Redaksia
Ligji i mediave, çfarë u pranua dhe çfarë u hodh poshtë

Sot reaguan disa institucione ndërkombëtare dhe kombëtare në lidhje me miratimin e dy projekligjeve të ashtuquajtura “paketa antishpifje”, të cilat gazetarët i quajnë “paketa censuruese”.

Pasdite vonë, Kryeministri Rama botoi versionin përfundimtar të projektligjit. Ai tha se ky do të miratohet në parlament, dhe se për të kishin rënë dakord me Përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir.

Desir shkroi se ligjit i ishin bërë shumë ndryshime. Ai shtoi se OSBE-së do ta ndihmojë qeverinë në hartimin e akteve nënligjore, pas miratimit të këtyre ligjeve në Kuvend. Desir siguroi se zyra e tij do të përpiqet t’i ulë gjobat dhe do të kontrollojë se si do të zbatohen këto ligje.

Më poshtë Exit sjell ndryshimet e bëra në projektligjin përfundimtar të botuar nga Kryeministri Rama.

Hiqet artikulli shpifës, nuk bllokohet faqja e medias

Në projektligjin e mëparshëm, neni 132, pika 5, AKEP mund të mbyllte faqen online të medias pas kërkesës së AMA-s. Kjo ka ndryshuar në projektligjin e fundit: tani AMA mund të urdhërojë AKEP-in të heqë pjesë të caktuara të artikullit ose të bllokojë hyrjen në artikull, nëse gjykohet se ka shkelur ligjin, por jo ta mbyllë fare faqen.

Kjo ka qenë një kërkesë e OSBE-së, pra që të mos bllokohej në asnjë rast faqja online e medias, por vetëm i pjesëve të veçanta të një artikulli, apo i të gjithë artikullit të pretenduar si në kundërshtim me ligjin.

Rriten gjobat

Në nenin 133 është shtuar një dënim me vlerë nga 100 mijë deri në 600 mijë lekë. Dënimet e tjera nuk kanë ndryshuar nga versioni i mëparshëm.

Organizatat ndërkombëtare dhe vendore i kishin kundërshtuar gjobat, pasi ato janë aq të larta sa çojnë në falimentim, edhe nëse më vonë gjykata vendos në favor të medias.

Nëse media përsërit shkeljet tri shkeljet 3 herë gjatë një viti, ajo gjobitet me një vlerë 50 përqind më të lartë. Nëse shkeljet i përsërit 5 herë në një vit, atëherë nuk do të përfitojë lehtësira fiskale për tre vjet.

Një gjobë e mëparshme që ishte maksimumi 800 mijë lekë, tani është bërë nga 800 mijë deri në 2 milionë lekë.

AMA-s dhe AKEP-it i kërkohet të mos jenë tepër të ashpër

Sipas projekligjit të ri, AMA duhet të zbatojë masën me më pak ndikim te e drejta për lirinë e shprehjes. Kjo pretendohet se bëhet në përputhje me parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Pra, AMA dhe AKEP duhet të ndërmarrin masa ndëshkuese kur ato e gjykojnë të domosdoshme. Këto masa duhet të jenë në proporcion me shkeljet e bëra nga media.

Çdo vendim i AMA-s dhe AKEP-it duhet të tregojë se për sa kohë është i vlefshëm ndëshkimi. AMA duhet të garantojë sa më shumë të jetë e mundur që vendimet për heqjen e përmbajtjes të prekin vetëm pjesët e përmbajtjes që dyshohet si vepër penale, dhe pjesa tjetër e përmbajtjes së botuar të mbetet online.

Edhe kjo ka qenë një kërkesë e OSBE-së.

Sidoqoftë, agjencitë e qeverisë e kanë në dorë të gjykojnë nëse një media duhet ndëshkuar apo jo, në çfarë mase është e arsyeshme të ndëshkohet dhe për sa kohë duhet të zgjasë ndëshkimi. Nëse media ankohet në gjykatë pasi i ka shlyer këto ndëshkime, ateherë gjykata do të vendosë për të njëjtat çështje që kanë vendosur më herët agjencitë e qeverisë.

Faqet e mediave bllokohen në rast vepre penale

Në projektligjin e ri, AMA mund të vendosë ta bllokojë një faqe, nëse Autoriteti për luftën kibernetike (AKCESK) ia kërkon këtë AMA-s me arsyetimin se përmbajtja në faqen online të medias përbën vepër penale. Në versionin e mëparshëm, AMA vetëm i merrte mendim këtij institucioni.

Vendimet e AMA dhe AKEP zbatohen pa pritur gjykatën

Një pikë që nuk ka ndryshuar në ligj është se vendimet e AMA-s dhe AKEP-it nuk do të presin për një vendim gjykate para zbatimit, pavarësisht nëse media e çon çështjen në gjykatë. Kjo i jep agjencive të qeverisë fuqinë e një gjykate.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>