
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj prezantoi të martën ligjin e ri për organizatat jofitimprurëse.
Gjatë një seance dëgjimore me Komisionin e Ligjeve, Gjonaj tregoi se me ligjin e ri do të krijohet një regjistër elektronik për OJF-të, i cili do jetë publik.
Ministrja argumentoi se ligji aktual parashikon një procedurë të gjatë me shume dokumenta për rregjistrimin e një OJF, që sipas saj është kosto për këto të fundit.
Risitë që do të sjelli ky ligj i referohen dixhitalizimit të rregjistrit të OJF-ve. Gjykata e Tiranës do të ketë një regjistër elektronik me të gjitha të dhënat.
Kjo do të jetë e hapur dhe për qytetarët për të bërë kërkime mbi OJF të ndryshme. Qeveria më herët ka miratuar ligjin për pronarët përfitues, i cili detyron këto organizata të rregjistrojnë pronarët e donatorët e tyre pranë QKB-së. Këto ndryshime erdhën si pasojë e rekomandimeve të MoneyVal.
Një tjetër risi e ligjit, i referohet reduktimit të procedurave për ndryshimin e të dhënave të OJF-së. Aktualisht kërkohet që OJF të bëjë kërkesë në gjykatë, të hidhet shorti, të caktohet gjyqtari dhe ky i fundit të marrë vendimin për ndryshimin e të dhënave.
Ndërsa me ndryshimet e reja të ligjit do të jetë kancelari i gjykatës që me anë të një kërkese të bëjë ndryshimet në regjistër.