Ligji kërkon që Voltana Ademi të qendrojë në detyrë, qeveria e vendosur ta shkarkojë

Nga Megi Ndregjoni
Ligji kërkon që Voltana Ademi të qendrojë në detyrë, qeveria e vendosur ta shkarkojë

Legjislacioni ynë është i qartë: kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi duhet të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë Shkodër.

Dorëheqja e kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri, para se ai të betohej, ka sjellë një gjendje të pandeshur më parë në Shqipëri në lidhje me ushtrimin e pushtetit vendor.

Media pranë qeverisë kanë filluar të përgatisin opinionin publik se kryebashkiakja e tanishme Ademi duhet të largohet më datën 20 gusht, data e fundit kur duhej të merrte detyrën kryebashkiaku i ri, dhe funksionet e kryebashkiakut t’i komandohen përkohësisht njërit prej nënkryetarëve aktualë të Bashkisë Shkodër.

Sipas kësaj linje qeveritare, Këshilli i ri Bashkiak i Shkodrës, i cili do të konstituohet të hënën më datën 19 gusht, duhet të shpallë mbarimin e mandatit të zonjës Ademi dhe të bëjë zëvendësimin e saj me një nga nënkryetarët.

Por nëse qeveria do të zbatojë këtë skenar, ajo do të shkelë në mënyrë flagrante ligjet që rregullojnë pushtetin vendor.

Së pari, Ligji për Vetëqeverisjen Vendore përcakton qartë rastet kur mund të komandohet një nënkryetar në krye të bashkisë. Pikërisht, Nenit 61 përcakton se kur kryetarit të bashkisë i mbaron mandati përpara kohe, për çfarëdo lloj arsye, vendin e tij, deri në zgjedhjen e një kryebashkiaku të ri, e zë një nga nënkryetarët:

“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë.”

Është e qartë se komandimi bëhet vetëm kur mandati mbaron “para kohe”, pra kur kryetari i bashkisë ndërron jetë, dorëhiqet apo pushohet pa plotësuar mandatin 4 vjeçar të përcaktuar nga ligji.

Ky nuk është rasti i Bashkisë së Shkodrës, pasi Zonja Ademi do ta përfundojë normalisht në kohë mandatin e saj.

Ligji për Qeverisjen Vendore përcakton qartë se kur mbaron mandati i një krebashkiaku. Neni 60 pika 4 përcakton:

“Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”

Kjo do të thotë se, ndryshe nga pretendimi që po qarkullon qeveria, mandati i zonjës Ademi përfundon në momentin kur do të betohet kryebashkiaku i ri i dalë nga zgjedhjet lokale.

Kjo do të thotë se ajo duhet të qëndrojë në zyrë deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri, kurdoqoftë ky moment.

Data 20 gusht që propagandojnë mediat qeveritare, do ishte data e mbarimit të mandatit të saj, nëse atë ditë do të betohej Valdrin Pjetri, por duke qenë se ai është dorëhequr dhe nuk do të betohet, bie data 20 si datë e mbarimit të mandatit të Zonjës Ademi.

Nëse Këshilli Bashkiak i ri i Shkodrës do të përpiqet ta zëvendësojë zonjën Ademi me ndonjë nga nënkryetarët apo çdo person tjetër të komanduar, ai do të shkelte si frymën edhe gërmën e ligjit.

Ligji nuk i jep asnjë komptencë Këshillit në një gjendje si e tanishmja. Në rastin më të mirë, ai duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për intepretim, por kjo Gjykatë nuk ekziston.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>