Lista e PS – Cilët bëhen deputetë për herë të parë?

Lista e PS – Cilët bëhen deputetë për herë të parë?

Nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste të propozuara për zgjedhjet e 25 qershorit dhe bazuar në rezultatet e vitit 2013, pritet që të paktën 25 deputetë të ulen për herë të parë në kuvend. Kështu:

Në qarkun e Tiranës ku garohet për 34 mandate, PS në vitin 2013 fitoi 17 mandate. Bazuar në këto rezultate, në parlamentin e ardhshëm do të ulen të paktën 4 deputetë të rinj: Elona Gjebrea, ish zv/Ministre e Punëve të Brendshme; Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Shëndetësisë; Klotilda Ferhati, anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë dh Sadi Vorpsi, ish-Prefekti i Tiranës.

Në qarkun e Durrësit ku garohet për 14 mandate, Partia Socialiste në vitin 2013 fitoi 6 mandate. Nëse arrihet i njëjti rezultat, do të kemi të paktën katër deputetë që ulen në kuvend për herë të parë: Milva Ekonomi, Ministre e Ekonomisë; Ilir Ndraxhiu, sipërmarrës, Roland Xhelilaj, ish-prefekt i qarkut Durrës dhe Jurgis Çyrbja, jurist dhe pedagog.

Në qarkun e Gjirokastrës ku garohet për 5 mandate, Partia Socialiste, në vitin 2013, arriti të fitonte 3 prej tyre. Bazuar në këtë rezultat, në kuvend do të kemi tre deputetë të rinj: Bledar Çuçi, ish ministër i Çështjeve Vendore; Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës dhe Flamur Golemi, mjek dhe kryetar i PS-së në Gjirokastër.

Në qarkun e Korçës, ku partitë garojnë për 11 kandidatë, Partia Socialiste në zgjedhjet e fundit ka fituar 6 mandate. Nëse arrin të ruajë të njëjtin rezultat, në kuvendin e ardhshëm do të kemi 3 deputetë të rinj: Niko Peleshi, ish-zëvendëskryeministër; Elisa Spiropali, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave dhe Edlira Bode, mjeke.

Në qarkun e Fierit ku garohet për 16 mandate, Partia Socialiste, në vitin 2013, fitoi 9 prej tyre. Bazuar në këto rezultate, në kuvendin e ardhshëm pritet të ulen për herë të parë Ismet Beqiraj, pedagog në Fakultetin e Shkencave dhe Tatjana Piro, sipërmarrëse dhe këshilltare në Këshillin Bashkiak Lushnje.

Në qarkun e Vlorës ku garohet për 12 mandate, Partia Socialiste fitoi 6 mandate në vitin 2013. Nëse arrihet i njëjti rezultat, të paktën 3 deputetë do të jenë për herë të parë pjesë e kuvendit: Vilma Bello, pedagoge; Alket Hyseni ish-drejtor i Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Vullnet Sinaj, sipërmarrës.

Në qarkun e Elbasanit, ku garohet për 14 mandate, PS në vitin 2013 fitoi 6 prej tyre. Nga 6 kandidatët e parë në listën e Elbasanit, vetëm një prej tyre është prurje e re: Arben Kamami, mjek.

Në qarkun e Beratit garohet për 7 deputetë dhe PS fitoi 4 në zgjedhjet e 2013-ës. Bazuar në këto rezultate, të paktën dy do të jenë deputetë të rinj: Adnor Shameti, jurist dhe Fadil Nasufi, ish-kryebashkiak dhe prefekt i qarkut të Beratit.

Në qarkun e Shkodrës, nga 11 mandate, Partia Socialiste në vitin 2013 fitoi 4 mandate. Bazuar në këtë rezultat, në parlamentin e ardhshëm do të kemi të paktën dy deputëtë të rinj: Senida Mesi, administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe Luan Harusha, ish-kryetar i njërës prej komunave në Shkodër.

Në qarkun e Lezhës ku garohet për 7 mandate, PS arriti të fitojë vetëm dy të tilla në vitin 2013. Bazuar në këtë rezultat, dy mandatet e Lezhës i shkojnë Lindita Nikollës, ish-ministre dhe Pjerin Ndreut, deputet. Nëse PS arrin të marrë mandatin e tretë, fitues do të jetë Gjetan Gjetani, drejtues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme.

Në qarkun e Kukësit ku garohet për 3 mandate, PS në vitin 2013 arriti të merrte vetëm një. Bazuar në këtë rezultat, mandati në zgjedhjet e 25 qershorit i shkon Mimi Koledhit, ministre e Mbrojtjes. Nëse PS arrin të fitojë një mandat të dytë, fitues është Safet Gjici, sipërmarrës, që do të ulet për herë të parë në kuvend.

Në qarkun e Dibrës, ku garohet për 6 mandate, Partia Socialiste fitoi vetëm 2 mandate. Nëse arrihet i njëjti rezultat, nga qarku i Dibrës do të ketë vetëm një deputet të ri në kuvend: Almira Xhembulla, prurje nga shoqëria civile.

Një analizë të ngjashme, Exit.al ka shkruar dhe për Partinë Demokratike, ku sërish rreth 25 deputetë të kësaj force pritet të ulen për herë të parë në kuvend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>