Listat e kandidatëve, PS nuk plotëson kuotat gjinore – Exit shpjegon

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Listat e kandidatëve, PS nuk plotëson kuotat gjinore – Exit shpjegon

Pak ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi të dhënat e të gjithë kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në total, 15 parti politike kanë regjistruar 2182 kandidatë në 12 zona zgjedhore.

KQZ ka publikuar disa nga të dhënat për kandidatët, duke përfshirë biografitë dhe formularët e vetëdeklarimit siç e parashikon ligji i dekriminalizimit. Bazuar në një analizë të shpejtë të të dhënave të gjinisë dhe moshës të paraqitura në faqen e internetit, mund të nxirren disa përfundime.

Kodi Zgjedhor parashikon që të paktën 30% e kandidatëve në secilën listë të 12 qarqeve duhet të jenë femra. Jo vetëm që Partia Socialiste (PS) e Kryeministrit Edi Rama është gjobitur nga KQZ pasi nuk e ka përmbushur kuotën në Qarkun e Beratit, por PS renditet partia e dytë më e keqe sa i përket barazisë gjinore krahasuar me partitë e tjera, duke pasur vetëm 36 për qind e kandidateve femra.

Shpërndarja sipas gjinisë

Vetëm Aleanca Demokratike (AD), e cila aktualisht nuk ka mandate në parlament, performon më keq sesa PS në aspektin e barazisë gjinore. Nga partitë më të mëdha dhe me mandate në parlament, PDIU ka më shumë kandidate femra , ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim është diku në mes të shpërndarjes. Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit (FRD), Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSh) dhe Aleanca Popullore për Drejtësi (APD), të gjitha pa mandate në Parlament, kanë pothuaj 50 për qind të kandidatëve femra.

Shpërndarja e moshës midis palëve të ndryshme tregon gjithashtu për klimën e tanishme politike. Siç është e qartë nga grafiku 2, të gjitha partitë kryesore kanë pastruar kandidatët e moshuar nga listat e tyre. PS, LSI dhe partitë e reja FRD, LIBRA e Ben Blushit dhe SFIDA e Gjergj Bojaxhiut nuk kanë kandidatë më të vjetër se 60 vjeç në listat e tyre. PNga ana tjetër, Partia Komuniste ka gati 25 për qind të kandidatëve të saj mbi 60 vjeç.

Shpërndarja sipas moshës, >60 vjeç

Po të shohim numrin e kandidatëve të rinj, PS sërish ka rezultate të këqija. PS ka përqindjen më të ulët të kandidatëve të rinj, krahasuar më të gjitha partitë e tjera, siç është e qartë nga grafiku 3.

Shpërndarja sipas moshës, <30 vjeç

Ndërsa partitë e tjera të mëdha LSI e PDIU, ashtu si dhe partitë e reja FRD, SFIDA dhe LIBRA , të gjithë kanë rreth 30-40 për qind të kandidatëve të rinj, PS ka vetëm 9 për qind. Partia SFIDA ka pothuaj 80 për qind të kandidatëve nën 40 vjeç.

Partia Socialiste na paraqitet si një parti me meshkuj të moshës së mesme, që ka pastruar kryesisht vetëm gjeneratën e saj më të vjetër të kuadrove të Partisë së Punës (përveç disa emrave si Fatmir Xhafaj apo Gramoz Ruçi) dhe refuzon të promovojë të rinjtë në politikë.

Partitë me lista dukshëm më rinore janë kryesisht ato parti që nuk kanë asnjë mandat në parlament dhe, me shumë mundësi, nuk do të kenë shumë as në parlamentin e ardhshëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>