Vetëm 3 kandidatë për deputet, Fatmir Xhafaj, Orlando Rakipi dhe Luciano Boçi, nga të gjitha partitë politike në vend kanë arritur të fitojnë një numër votash për të kaluar në listën fituese.
Ndërkohë listat e partive ka kandidatë, të cilët kanë marrë më shumë vota se sa kandidatët në listën fituese, por sërish nuk kanë arritur të kalojnë në listën fituese.
Përshembull, rasti i Shkodrës ku Bardha Spahia ka marrë 7219 vota, rreth 470 vota më shumë se drejtuesi politik Helidon Bushati.
Njësoj edhe në Fier, Agron Kapllanaj fitoi 9225, rreth 3000 vota më shumë se sa drejtuesi i qarkut të Fierit, Enkelejd Alibeaj.
Ky fakt tregon se hapja e listave me dy të tretat e miratuar në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste në korrik të 2020 është hapje fallco.
Si funksionojnë listat e hapura:
Në shtator 2020, shumica socialiste bëri një tjetër hap pas duke propozuar një formulë të re për listat: zgjedhësit mund të shprehin pëlqiminin për një kandidat, por kandidatët nuk renditen sipas pëlqimeve.
Listat renditen paraprakisht nga partia dhe shpërndarja e mandateve bëhet sipas renditjes partiake.
Pëlqimet e votuesve hyjnë në veprim vetëm në një rast: kur një kandidat jo fitues nga renditja e partisë merr më shumë pëlqime se mesatarja e votave për çdo mandat të fituar nga partia, ai i merr mandatin fituesit të renditur më poshtë në listë.
Pra, duhet të marrë më shumë pëlqime se herësi që del duke pjestuar numrin e votave me numrin e mandateve të fituar nga partia.
Thënë me pak fjalë, nëse një parti ka marrë 100 vota në total, të cilat i kanë dhënë dy mandate, herësi në këtë rast është 50. Nëse një nga kandidatët e renditur nga numri tre e poshtë merr 51 apo më shumë vota ai i merr mandatin të fundit fitues, pra të dytit.
Me këtë model të PS-së në praktikë do të ketë raste shumë të rralla që të bëhet ndonjë ndryshim në renditjen e partisë.
Në disa raste madje kjo do jetë edhe teorikisht e pamundur. Në vitin 2017, PD mori një deputet në Gjirokastër, ndërsa PS një në Kukës. Mandati i shkoi të parit të listës.