Livefeed-i politik, një rrezik për platformat sociale?!

Nga Artan Rama
Livefeed-i politik, një rrezik për platformat sociale?!

Ndonëse një përdorues i rregullt e i vëmendshëm i Facebook-ut, hera e fundit kur Vizion Plus, doli live përmes livefeed-it, unë, nuk e mbaj mend. Por në orët e para të së premtes, ende pa u zgjuar mirë, ndërsa shpërndaja në Facebook disa fotografi mes miqve, në ekranin e kompjuterit u shfaq figura e një zyrtareje! Një Samsung, superior, njëzet e katër inçësh, bëri që imazhi përpara meje, të shkëlqente: përmes Livefeed-it, në Facebook, znj. Mirela Kumbaro kishte hyrë në dhomë.

Pra, Vizion Plus po trasmetonte live, në Facebook, aktivitetin zyrtar me rastin e njëqind vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, një takim publik i organizuar prej Ministrisë së Kulturës. Megjithëse një kuadrat i vogël dhe i parëndësishëm në morinë e dhjetëra videove ditore, gjykoj, se kemi të bëjmë më një situatë lajmore mjaft të veçantë.

Kësisoj, le të parashtrojmë disa të dhëna.

Vizion Plus nuk është i vetmi. Prej kohësh, një numër kanalesh televizive po ndërhyjnë mes nesh, në rrethin tonë të miqve, imponuese dhe dukshëm me një qëllim…

Dhe ndoshta për një arsye. Sipas një raporti të Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, besimi i publikut ndaj mediave tradicionale, në vitin 2016, krahasuar me vitin 2014, ka rënë! Kështu që natyrshëm, po kërkojnë klientë të rinj.

Por, a është kjo teknikë transmetimi, kjo risi teknologjike, vetëm një mjet për rritjen e fansave? Apo një strategji për një treg të ardhshëm? Apo mos është një përpjekje për të imponuar politikat e tyre editorialiste në funksion të klientelizmit? Dhe në fund, sa e drejtë dhe e ndershme është ajo?

Në pamje të parë, nuk ka vend për shqetësim. Mjafton “unlike”, “unfollow”, “blocked”, e kështu me radhë. Por nuk shpëton! Dikush tjetër bën të kundërtën. Është si të shkosh në një kafe të madhe e të mbash në vesh një palë kufje me muzikën e preferuar. Por nuk mund ta bësh, përderisa ke vendosur të dalësh jashtë. Përndryshe, ti rrezikon të izolohesh brenda!

Çdo ditë, një numër transmetimesh nga ekranet e televizioneve po shfaqen live në ekranin e kompjuterit, përmes Facebook-ut. Me një cilësi të lartë transmetimi dhe regjistrimi, kjo teknikë konkuruese ndaj videove familjare po bëhet gjithnjë e më imponuese.

Në Shqipëri, fenomeni sapo ka filluar ndaj, t’ia lemë kohës një përgjigje më të saktë e të plotë.

Sidoqoftë ka diçka të kthjellët qysh tani që krijon paqartësi: kjo mënyrë e re transmetimi live, në Facebook, po njofton një betejë të pritshme, brenda vetë mediumit, në një të ardhme.

Konflikti bëhet edhe më i dukshëm, ndërsa numri i të punësuarëve të rinj të rekrutuar, për t’u punësuar për transmetimt online, po rritet.

Por me rritjen e transmetimeve, përmes livefeed-it, mund të shtohet edhe interesi i publikut, varësia e tij e pashmangshme, kundrejt teknikave të marketimit dhe të promocionit. Si pasojë, do të mbërrijnë reklamat komerciale dhe rrjeti do të sulmohet prej tregut që sigurojnë këto transmetime.  Përpara se të arrijmë në një konkluzion final, le të shohim se çfarë ofrojnë në përmbajtje këto transmetime!

Në të njëjtën kohë me ministren Kumbaro, një tjetër televizion transmetonte live, fjalën e kryetarit Basha. Jo shumë vonë, në një tjetër kanal, kryetari Veliaj po përcillte në pension një punëtore pastrimi. Gjithçka ishte live në Facebook.

Kështu, propaganda dhe politika po shndërrohen në miqtë e përbashkët të çdo përdoruesi!  E vetmja mënyrë për t’iu shmangur këtij helmi qëndron në mundësinë e mospërdorimit të mëtejshëm të llogarisë! Por është fakt, pamundësia për t’iu larguar rrjeteve qëndron në raport të drejtë me varësinë ndaj tyre.

Atëherë, pas këtyre parashtrimeve, le të ngremë një pyetje, por dhe një çështje etike! Çfarë është më e rëndësishme për këto mediume: komercializmi apo klientelizmi? Duke ofruar të tilla produkte politike, fjalime politikanësh, apo takime elektorale, ato i shërbejnë një qëndrimi i cili nuk jep të ardhura në mënyrë të drejtpërdrejtë! Ndërkohë, duke refuzuar produkte komerciale, përmes programeve zbavitëse, e ndoshta lehtësisht të shitshme, ato shmangin të ardhura të vlefshme për begatinë dhe pavarësinë e tyre.

Po atëherë, si shpjegohet një zgjedhje e kundërt?

Le të japim një kundërargument. A mos vallë, sondazhet tregojnë se po respektohet interesi publik? Aspak! Nëse do të vepronin në emër të interesit publik, atëherë, përse nuk u transmetuan protestat e punëtorëve në Ballsh, protestat e aktivistëve për Parkun e Liqenit, për grevën e urisë që po zhvillohet në Zharrës apo ngjarjet histrorike në Bukuresht, pak ditë më parë?

Ka disa prej tyre (televizioneve) që zotërojnë të drejta ekskluzive sportive, fundja le të transmetojmë edhe ndonjë ndeshje. Por jo! Nuk gjen një video të vetme: konferenca shtypi pushtetarësh, sa të duash.

Vendimi është marrë: klientelizmi kundrejt komercializmit.

Të ndërgjegjshme për fuqinë e tyre, mediat tradicionale kanë zgjedur t’i helmojnë platformat sociale! Statuset dhe bisedat virtuale po shndërrohen në debate politike. Është i pakundërshtueshëm fakti se qëndrimi politik apo botëkuptimi është i rëndësishëm gjatë komunikimit social, por ai nuk ka asnjë lidhje me konferencat apo takimet elektorale që na serviren.

“Unë jetoj politikisht, veproj politikisht dhe jam pjesë e kësaj skuadre politike që është Partia Socialiste”, tha Mirela Kumbaro në ekranin tradicional të Vizion Plus, në një bilanc punësh të kryera prej saj, në mbyllje të vitit 2016. Dhe nën të njëjtën logo, por përmes një tjetër ekrani, atij të livefeed-it,  Zonja Ministre zgjodhi të çelë  vitin 2017 me të njëjtën propagandë!

Platformat sociale rrezikojnë të shndërrohen në platforma politike dhe teknologjitë e reja nuk po ndihmojnë për të shmangur rrezikun që vjen prej propagandës, përkundrazi, ato po bien lehtësisht pre e një vullnet të imponuar prej fuqisë së tregut e kombinuar me interesat klienteliste të të njëjtave ekrane të vjetra dje dhe atyre të reja sot!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>