Kryeprokurori Adriatik Llalla akuzoi sot ambasadorin amerikan Donald Lu se ka ushtruar presion mbi prokurorinë për të ndalur hetimet për Bankers Petroleum dhe se po vazhdon të ushtrojë presion duke refuzuar vizat e zyrtarëve të prokurorisë.
Prokuroria e Përgjithshme ju përgjigj akuzave të sotme të ambasadorit Lu, me anë të një deklarate për shtyp dhe një letre drejtuar Presidentit Nishani dhe Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.
Pikat kryesore të letrës janë:
— Akuzat e ambasadorit janë të lidhura me hetimet që po kryen prokuroria ndaj disa politikanëve që kanë mbështetjen e ambasadorit dhe ndaj disa deputetëve që ambasadori u ka kërkuar votën edhe me anë të shantazhit për reformën në drejtësi, të cilët dyshohet se preken nga ligji për dekriminalizimin.
— Prokuroria e Përgjithshme është gjendur sot në një sulm të hapur dhe të paprecedentë nga ambasadori Lu lidhur me qëndrimet e reformës në drejtësi dhe kandidaturave të KED.
— Qëndrimet [e Prokurorisë] kanë gjetur mbështetjen e plotë në Opinionin e Komisionit të Venecias.
— Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash.
— Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet.
— Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare.
— Rasti më flagrant […] i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës Bankers Petroleum.
— Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.