Policia dështoi në parandalimin e atentatit të sotëm në Tiranë ndaj Prend Gjinit.
“Në qoftë se flasim për ngjarjen e sotme normalisht dështoi [policia]. Por nuk mund të besojmë se policia do të parandalojë çdo lloj krimi. Në qoftë se besojmë se policia do parandalojë çdo lloj krimi, atëherë kjo është një alibi”, ju përgjigj, Ministri Lleshaj pyetjes së Eni Vasilit në Open, Top Channel.
Ai nuk bëri koment nëse atentati i sotëm është i lidhur me vrasjen e Kastriot Reçit në Rrëshen, në janar:
“Është e pavend që unë të merrem më këtë ngjarje. Nuk duhet të bëjmë lidhje, pasi ende ngjarja është e pazbardhur, por kam thenë se jemi shumë afër. Kishim një pistë, por në momentin e fundit, devijoi. Të mos bëjmë hetim publik për ngjarjet. Nuk mund të flas me emra dhe të bëj ndërlidhje”.
Ministri tregoi se “grupet kriminale përdorin çdo mjet që kanë në dispozicion”:
“Shqipëria ka një arsenal të madh eksplozivi të paligjshëm. Ka patur jo një grup, por shumë grupe. Por ka edhe celula të tjera, është një biznes kriminal. Kemi disa raste”.