Ministri i Brendshëm në ikje, Sandër Lleshaj ka deklaruar se nëse do të kishte pasur presion për të dhënë dorëheqjen nuk do ta kishte bërë.
Lleshaj tha se vendimi për largimin nga posti i Ministrit të Brendshëm erdhi si pasojë e impaktit që la tek ai vrasja e 25-vjeçarit, Klodian Rasha.
“Është fare e thjeshtë kam dhënë dorëheqjen me qetësi dhe shumë vendosmëri. S’ka pasur asgjë tjetër. Mendoj që unë nuk jam person që heq dorë lehtësisht nga gjërat, aq më tepër heq dorë nën presion. Nëse do kishte ndonjë presion do kishte ndodhur e kundërta. Është rezultat jo i një situate, por i një momenti. Nuk kemi një kontekst të madh para largimit, por një ngjarje, një rrufe në qiell të hapur, që kërkon reflektim që shkaktoi një impakt tek unë. Është një ngjarje e vetme, e papritur, e pallogaritur”, deklaroi Lleshaj.”, tha Lleshaj në një intervistë në emisionin “Real Story”.
Lajmin për dorëheqjen e ministrit Lleshaj e komunikoi fillimisht kryeministri Rama, një ditë pasi nisën protestat për vrasjen e Klodianit në Tiranë.
Për largimin e Lleshajt është diskutuar më herët në shtator kur ai deklaroi se pas 25 prillit nuk do të jetë më ministër. Më pas ai tha për mediat se do ta mbante detyrën deri kur vendi të shkonte në zgjedhje.